Kosovarja, ndër 5 kandidatët për çmimin kryesor letrar të Zvicrës

Autori:Avdyl Pajaziti

Autorja është e lindur në vitin 1983 në Prizren, në një qytet në të cilin bashkëjetonin të gjitha gjuhët: shqipja, serbishtja dhe turqishtja.

Në mesin e 5 kandidateve për çmimin kryesor letrar të Zvicrës është edhe kosovarja nga Prizreni (me gjuhë amtare turqishten) Meral Kureyshi. Themi “kandidateve” pasi që 4 prej tyre janë femra, diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Prandaj, siç shkruajnë mediet zvicerane, ky është “viti i gruas” nëse shikohet konkurrenca për çmimin e letërsisë zvicerane.

Krahas kosovares Kureyshi me romanin e saj “Elefanten im Garten” (Elefantët në kopsht)  në këtë konkurrencë me librat e tyre janë edhe  Monique Schwitter, Ruth Schweikert, Dana Grigorcea dhe si i vetmi “përfaqësues i gjinisë mashkullore”,  Martin R. Dean.

Sipas zëdhënëses së jurisë për çmimin vjetor të librit Corina Caduff, autoret sjellin në fokus gjendjen aktuale te problemeve të shoqërisë, përvojat e te tjerëve, inter-Nacionalitetin dhe kujtimet. Ato, në vend se me ideale të mëdha merren me rrëfime jetësore, plotëson Caduff për azonline.ch, transmeton albinfo.ch.

Te rasti i Meral Kureyshi-t dhe Dana Grigorcea ka qenë biografia që ka luajtur një rol me rëndësi: të dyja kanë ardhur në Zvicër si fëmijë.

Atdheu i vjetër i Meral Kureyshi-t në romanin e saj tregohet në mënyrë ekzotike. Poetike, si përrallat e 1001 netëve janë kujtimet e shkrimtares së re për vendin e saj të lindjes, Prizrenin, ku “vdekja nxirret përditë në shëtitje”. Rrëfimtarja ndjehet akoma e humbur në Zvicrën e pastër dhe të lumtur, pasurinë e së cilës e përshkruan kështu me fjalët e nënës: “Me para mund t`i shpërqendrosh njerëzit nga jeta, t`i mashtrosh, t`i bësh të lumtur, t`i vrasësh”.

Meral Kureyshi ka qenë studente e Institutit të Bielit për letërsi. Mentorja e saj nga ky institut, Ruth Shweikert i jep Meralit një vend të dalluar edhe në rrethin e ngushtë të të nominuarve për çmimin letrar.

Autorja është e lindur në vitin 1983 në Prizren, në një familje turke. Ka kaluar fëmijërinë në një qytet në të cilin bashkëjetonin të gjitha gjuhët dhe grupet etnike: serbishtja, shqipja dhe turqishtja, rrëfen Kureyshi për gazetën “der Bund”.  Nga viti 1992 jeton në Bernë. Pas përfundimit të shkollimit në Institutin e Literaturës në Biel ka themeluar “Atelienë e lirikës” në Bernë.

Fituesi i çmimit që ndahet më 8 nëntor në festivalin  e letërsisë “Buchbasel” në Bazel, bashkë me vlerësimin, shpërblehet me një shumë prej 40.mijë frangash./lajmi.net/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosovarja-nder-5-kandidatet-per-cmimin-kryesor-letrar-te-zvicres/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala