Kosovarët u arrestuan pasi bënin plan vrasjen e Papës

Autori:Avdyl Pajaziti

Një operacion anti-terrorizëm i policisë italiane është mbyllur me arrestimin e katër kosovarëve, të akuzuar për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes racore.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Aksionet e policisë janë kryer njëkohësisht në disa qytete italiane dhe në Kosovë.

Gazeta Express merr vesh se i arrestuari në aksionin e sotëm të policisë së Kosovës, është Samet Imishti nga Hani i Elezit. 48 vjeçari dyshohet se ka bërë nxitje, publikime dhe thirrje publike përmes rrjeteve sociale.

Sipas Sky TG 24, ka pasur kërcënime për jetën e Papa Françeskut. “Ky Papë do të jetë i fundit”, është dëgjuar në nga përgjime telefonike.

Hetimet që sollën në arrestimet e sotme janë kryer nga Antiterrorizmi italian dhe Digos i Breshias. Hetuesit kanë zbuluar kontaktet dhe organigramën e një organizate të dyshuar terroriste, e cila, përmes rrjeteve sociale propagandonte ideologjinë xhihadiste, transmeton Javaneës.

Janë katër qytetarët kosovarë të arrestuar nga operacioni policor. Për herë të parë ndaj tyre u përdorën masat e mbikëqyrjes speciale. Mandati u lëshua direkt nga prokurori kombëtar i anti-mafias dhe anti-terrorizmit, Franco Roberti.

Ndër të ndaluarit edhe kreu i grupit, një qytetar që ka jetuar në Itali e që u arrestua në Kosovë nga autoritetet vendase, ndërsa tre të tjerët u arrestuan në Itali, ku jetonin prej kohësh. Policia ka ushtruar kontrolle në Breshia, Viçenca e Peruxha.

Në internet, kosovarët e arrestuar kishin publikuar foto me armë në duar. Nga hetimet rezultoi se të katërt ishin radikalë, me ide ekstremiste dhe sjellje tipike të militantëve të ISIS.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndërmarr një aksion të gjerë anti-terrorizëm në bashkëpunim me policinë e Brescias në Itali.

Në njoftimin dërguar mediave, PK thotë se si rezultat i hetimeve disamujore të ndërmarra nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, në kuadër të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Sektorin Kundër Terrorizmit, në kuadër të Divizionit të Hetimeve Gjenerale dhe operacioneve speciale të qarkut të Brescias, Itali, sot me datën 1/12/2015 është zbatuar plani i përbashkët operativ i koduar “Van Damme”, ku njëkohësisht është bërë zbatimi i urdhër kontrolleve në një lokacion në Kosovë, si dhe në tri lokacione tjera në Itali, raporton Koha.net.

“Me përkrahjen e njësive tjera relevante policore, Drejtoria Kundër Terrorizmit në një fshat të Hanit të Elezit ka bërë zbatimin e urdhër kontrollit të autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Gjykata Themelore në Ferizaj, me ç’rast është shoqëruar një person i dyshuar (S. I.), nën dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale, të sanksionuar nga Ligji nr. 05/L-002 “Për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”, përkatësisht nga Neni 3 paragrafi 4. “Kushdo që në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në paragrafët 1, 2 dhe 3 të këtij neni””, thuhet në njoftim të PK-së.

Policia, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy armë zjarri, një revole dhe një pushkë e tipit karabinë, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, që mund të ndërlidhen me rastin.

Ndërkaq, në konsultim me prokurorin e rastit nga PSRK janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ky operacion është një tregues se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit si dhe çelës i suksesit në hetime më efektive, andaj Polica e Kosovës është e hapur për bashkëpunim edhe në të ardhmen me cilindo shtet në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave tjera të krimit”, theksohet në komunikatë.

Në fund, Policia e Kosovës, përmes këtij njoftimi publik, apelon tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve, propagandimeve dhe mashtrimeve të tilla për përfshirje në raste të terrorizmit, njëkohësisht për raste të kësaj natyre ta informojnë Policinë e Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosovaret-u-arrestuan-pasi-benin-plan-vrasjen-e-papes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala