Kosovarët të vetmit në rajon që s’mund ta padisin shtetin e tyre

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha të martën se qytetarët e Kosovës janë të vetmit shtetas në rajon që nuk mund të padisin shtetin e vet para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si pasojë e mos anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ky fenomen vetvetiu mund të konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut.

Ministri Kuçi këto komente i bëri në konferencën ndërkombëtare me temën “Interpretimi dhe zbatimi i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut nga Gjykatat Kushtetuese në Ballkanin Perëndimor”.

Ministri Kuçi përmendi rastin e Kosovës, ku sipas tij padyshim që është i veçantë duke pasur parasysh faktin që Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe si pasojë nuk është palë nënshkruese e Konventës.

“Kjo assesi nuk paraqet pengesë në zbatimin e normave të Konventës, duke pasur parasysh se përmes Kushtetutës, Konventa tani është kategori ligjore e rendit juridik të brendshëm, përmes inkorporimit të obligimit për zbatim në Kushtetutën e Kosovës dhe për më shumë paraqet edhe obligimin për gjykatat, jo vetëm Kushtetuese por edhe të rregullta për zgjidhjen e kontesteve gjyqësore në frymë të rasteve dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Kuçi.

Ministri Kuçi theksoi dy aspekte konkrete të punës së Gjykatës Kushtetuese në interpretimin dhe zbatimin e Konventës Evropiane

Fillimisht Kuçi tha se Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe për dallim nga shtetet e rajonit qytetarët e Kosovës nuk kanë mundësi të sjellin raste para Gjykatës Evropiane kundër Shtetit të vet.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese ka rolin e dyfishtë të gardianit, jo vetëm të ruajtjes së të drejtave të qytetarëve në raport me Kushtetutën e Kosovës, por edhe ruajtjen e të drejtave të qytetarëve në raport me Konventën. “Fakti që qytetarët nuk mund të sjellin padi në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, nuk duhet të krijoj rehati tek institucionet për mos përmbushjen e obligimeve dhe detyrave të tyre. Ne si institucione, duhet të angazhohemi edhe më tutje në avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Kuçi.

Ministri Kuçi ndër tё tjera shtoi se nuk është e mjaftueshme që gjykata vetëm të referohet në normat e Konventës apo jurisprudencën e Gjykatës Evropiane.

Duke pasur parasysh kontekstin social në Kosovë, gjykata Kushtetuese duhet të bëjë një interpretim më të detajuar, duke aplikuar rrethanat faktike të rasteve dhe të krijojë kështu disa raste precedent.

“Puna e Gjykatës është edhe më e rëndësishme sa i përket mbrojtjes së vlerave kushtetuese dhe të drejtave fondamentale të qytetarëve. Dëshiroj që sot përmes kësaj konference të përcjell mesazhin tek gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, por edhe të gjykatave të tjera që të sigurohen maksimalisht që të marrin vendime të drejta dhe të bazuara dhe kështu të rrisin besimin e qytetarëve se ekziston mbrojtje juridike e të drejtave të tyre, dhe në këtë formë të ndikojnë indirekt edhe në zvogëlimin e rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga institucionet ekzekutive dhe gjyqësore në Kosovë”, theksoi Kuçi. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosovaret-te-vetmit-ne-rajon-qe-smund-ta-padisin-shtetin-e-tyre/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala