Kosovarët konsumojnë qumësht të dyshimtë

Autori:Zekirja Shabani

Produktet nga importi po hyjnë në Kosovë shkel e shko. Mungesa e kontrollit nga Agjencitë inspektuese ka bërë që, në disa raste, nëpër shumë dyqane nëpër Kosovë, të shiten produkte të qumështit me deklaracion të falsifikuar.

Instituti GAP në analizën për Industrinë e Qumështit ka gjetur se në disa raste janë shitur produkte të qumështit me prejardhje bimore, ndërkohë që është kamufluar si produkt me prejardhje shtazore. Ndërkohë, sipas njohësve të kësaj fushe ky lloj qumështi nuk rekomandohet për pije, pasi përmban vlera ushqyese të dyshimta.

“Në tregun tonë gjenden edhe produkte që emërtohen si produkte të qumështit ndërsa janë pije me përmbajte bimore, ku si përbërës kanë vajin e palmës dhe vajra tjera bimore. Këto produkte shiten në të njëjtin raft me produktet e qumështit, gjë që konsiderohet manipulim në bazë të nenit 53 të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Shkelje të tilla janë identifikuar edhe në vitin 2014, kur janë suspenduar pesë kompani për manipulim të deklaracionit”, thuhet në analizën e GAP-it “Analiza për Industrinë e Qumështit”. Sipas analizës se GAP-it, këto praktika janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës për tregti të lirë, përkatësisht me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Gazeta Fjala e ka pyetur Udhëheqësen e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Sytrime Dervisholli, lidhur me gjetjet GAP-it dhe e njëjta ka pranuar se Ministria vitin e kaluar ka hetuar këto produkte, me çka ka rezultuar edhe me marrjen e masave ndaj disa kompanive. Megjithatë ajo nuk ka pranuar t’i bëjë publike emrat e tyre.

“Po, ne kemi hetuar këto dyshime dhe janë marr masa në bazë të ligjit. Nuk mund të them më shumë”, ka thënë shkurt Dërvisholli.

MTI “amniston” shkelësit e ligjit

Në analizën e GAP-it, thuhet se njëra nga arsyet kryesore që disa produkte të importuara të qumështit gjenden në treg me çmime më të ulëta se prodhimet vendore është mungesa e mirëfilltë e kontrollit të importit. Si rezultat, disa prodhues jashtë vendit kanë shfrytëzuar këtë situatë duke hyrë në treg me produkte të dampuara (çmim nën kosto të prodhimit) ose të subvencionuara, që dëmtojnë prodhimin vendor dhe janë në kundërshtim me praktikat e konkurrencës së lirë të tregut.

Për këtë problem, edhe prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit duke parë që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pothuajse nuk ekziston, patën ngrehur vitin e kaluar dyshime  tek MTI për disa produkte që mund të jenë të dampuara. MTI në kuadër të Ligjit për masat antidamping dhe kundër balancuese inicioi një hetim preliminar ku zbuloi se në treg gjinden disa kompani të cilat kanë tregtuar produkte të qumështit pa marzhë të fitimit.

“Arsyetimi i kompanive të dyshuara ishte se shitjet u bënë me aksion gjatë sezonit të verës dhe se nuk ishin të dampuara19. Mirëpo, MTI dyshon se këto kompani kanë kaluar kohën e lejuar për mbajtjen e produkteve në akcion si dhe nuk kanë vendosur shenjën “Akcion” siç detyrohen me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Tejkalimi i kohës së limituar për shitje të këtilla në një formë konsiderohet damping”, thotë analiza e GAP-it.

Lidhur me këto gjetje zyrtarja e MTI-së Sytrime Dervisholli ka thënë se Komisioni ka ardhur në konstatim se, pavarësisht se konsiderohet shitje damping, në treg nuk është shkaktuar ndonjë luhatje e madhe nga këto produkte. Ajo ka përmendur se Ligji e lejon që “deri në gjashtë muaj importuesit të shesin në këtë formë nëse nuk e dëmtojnë tregun”.

Ndërkohë në nenin 43 të Ligjit Anti-dumping dhe Masave Kundër balancuese thuhet qartë se Ministria, pas shqyrtimit të fakteve që përcaktojnë ekzistencën e dampingut ose subvencionimit dhe pasojat e dëmeve të tyre, dhe duke marrë parasysh interesat e Kosovës, si dhe pas konsultimit të Komisionit, duhet të vendosë për vendosjen e detyrimeve përfundimtare anti-damping dhe kundërbalancuese.

“Në rastet kur janë të vendosura detyrimet e përkohshme, Ministria, pas konsultimit me Komisionin, vendosë detyrime përfundimtare jo më vonë se në ditën e fundit të vlefshmërisë së masave të përkohshme. Detyrimet përfundimtare anti-damping dhe kundërbalancuese nuk mund ta kalojnë marzhën e përcaktuar të dampingut apo të subvencionit dhe duhet të jenë më të ulëta se kjo marzhë, nëse një detyrim i tillë i ulët është i mjaftueshëm për të eliminuar dëmin e shkaktuar ndaj industrisë vendore të Kosovës”, thuhet në Ligj.

GAP i rekomandon MTI-së të marr masa ndaj shkelësve

Nga ana tjetër, Institutu GAP i ka kërkuar Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, që krahas marrjes se masave ndaj kompanive që kanë shkelur ligjin, gjatë kohës sa i kryen hetimet të ndalojë në treg shitjen e produkteve të dyshimta.

Blendi Hyseni nga GAP ka thënë se pas hetimit preliminar, MTI duhet të fillojë hetimin zyrtarë të kompanive të cilat dyshohet se janë duke bërë dumping ngase kanë shkelur nenin 19 të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Poashtu ai ka rekomanduar që Komisioni vlerësues t’i rekomandojë Qeverisë së Kosovës të vendos masa të përkohshme të ndalimit të importit të produkteve të cilat dyshohen se janë të dampuara ose të subvencionuara deri sa të përfundojë hetimi, siç parashihet me Ligjin për masat antidamping dhe kundërbalancuese.

“MTI duhet të shtojë kujdesin ndaj kompanive të cilat dëmtojnë prodhuesit vendor duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit nga emërtimi dhe vendosja e produkteve në mënyrë joligjore dhe manipuluese. Poashtu, të nxjerr një udhëzim administrativ ku identifikohen qartë produktet e qumështit me përmbajtje shtazore dhe ato me përmbajtje bimore dhe të kërkohet që të mos shiten në raftin e njëjtë për arsye se është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit”, vlerësoi Hyseni.

Ai po ashtu thotë se MTI duhet të nxjerr një udhëzim administrativ ku identifikohen qartë produktet e qumështit me përmbajtje shtazore dhe ato me përmbajtje bimore dhe të kërkohet që të mos shiten në raftin e njëjtë për arsye se është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Të kërkojë nga inspektorët që të kontrollojnë shitjen e produkteve, zbatimin e udhëzimit administrativ ndaj ndarjes fizike të produkteve bimore dhe shtazore, si dhe respektimin e ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Të informohet Dogana e Kosovës për tatimin e pijeve të qumështit (bimore) dhe të ndërpritet praktika e hyrjes në doganë të pijeve qumështore si produkte të qumështit ose të vendoset një akcizë për produktet bimore”, ka thënë ai. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosovaret-konsumojne-qumesht-te-dyshimte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala