Kosovarët azilkërkuesit më të mëdhenj në BE

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në çerekun e parë të vitit 2015, të cilët kanë kërkuar strehim në vendet e Bashkimit Evropian, sipas shifrave të botuara nga Enti Statistikor i BE-së, Eurostat, para dy ditësh, ka ftohur edhe ata pak diplomatë evropianë, të cilët donin që sa më shpejt edhe për qytetarët e Kosovës të hiqeshin vizat, shkruan sot Koha Ditore.
Kosovarët përbëjnë bindshëm numrin më të madh të azilkërkuesve në BE në tre muajt e parë të këtij viti, ndërsa, krahasuar me numrin e tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka shënuar rritje për 19 herë.
Numri i përgjithshëm i kosovarëve, të cilët për herë të parë kanë kërkuar azil në BE, në këta tre muaj, ka qenë 48.875, që është më shumë sesa shtetasit e Sirisë dhe Afganistanit së bashku, edhe pse shtetet e BE-së nuk shohin arsye për t’u lejuar strehim shtetasve të Kosovës për dallim nga ata të Sirisë.
Niveli i refuzimit të azilit për shtetasit e Kosovës në këtë periudhë ka qenë 99%, ndërsa në rastet e shtetasve të Sirisë, të cilët kanë ikur nga konfliktet në 94 % të tyre përgjigjja ka qenë pozitive dhe atyre u është dhënë strehim në vendet e BE-së.