Kosovarët, 217 milionë euro për ilaçe

Autori:Avdyl Pajaziti

Heqja e kësaj takës doganore prej 10 për qind për ilaçet e importuara nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) po shihet si një mundësi e mirë e përfitimit të depove farmaceutike sesa që do të ndikojë në uljen e çmimit të ilaçeve për pacientët.

Derisa nuk ka të dhëna të sakta për shifrat e kontrabandës së ilaçeve, të dhënat zyrtare të importit të ilaçeve prej vitit 2011 deri në fund të gushtit të vitit 2015 të siguruara nga “Zëri” kanë treguar për shifra enorme të importimit të ilaçeve në Kosovë në rrugë legale.

Kështu, për këto vite, në Kosovë nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) por edhe nga ato të vendeve që janë pjesë e CEFTA-s, janë futur ilaçe në vlerë prej rreth 217 milionë euro.

Për vitet 2011, 2012 dhe 2013, pa u llogaritur vlera e pajisjeve mjekësore sipas të dhënave që posedon Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale janë importuar ilaçe në vlerë prej rreth 116 milionë euro.

Derisa nga janari i vitit 2014 deri në fund të gushtit të vitit 2015, sipas të dhënave të siguruara në Doganat e Kosovës, janë importuar ilaçe në vlerë prej rreth 101 milionë euro.

Me miratimin e Udhëzimit Administrativ për mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, barnat e Bashkimit Evropian më nuk do të paguajnë taksën doganore prej 10 për qind, për t’u importuar në Kosovë, siç kanë paguar deri më tani. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosovaret-217-milione-euro-per-ilace/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala