Kosova synon anëtarësimin në Kombet e Bashkuara

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë në takimin për lansimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë.
Aty të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues nga institucionet e Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Koordinatorin për Zhvillim të OKB-së, përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të donatorëve, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi se për Republikën e Kosovës objektivat zhvillimore janë tepër të rëndësishme, sepse Kosova e ka prioritet qendror zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe social, njofton Zyra e Kryeministrit.
Ai po ashtu, tha se ky vit shënon një përvjetor të rëndësishëm të hyrjes në fuqi të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke theksuar synimin e Republikës së Kosovës që të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, dhe që së bashku me të gjitha shtetet dhe popujt e tjerë të botës, të realizojë objektivat e këtij mileniumi dhe të ndërtojë zhvillimin e përbashkët.