Kosova synon anëtarësimin në Interpol

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, po qëndron për një vizitë zyrtare dy ditore në Bruksel. Ai sot takoi zëvendës-sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Christian Kremer, me të cilin bisedoi për gjendjen e përgjithshme në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë për situatën në fushën e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Ministri Hyseni e njoftoi zëvendës-sekretarin me punën që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës, e në veçanti Ministria e Punëve të Brendshme, në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të migrimit të paligjshëm, luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftëtarëve të huaj, bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë, etj.

Sipas një njoftimi të MPB-së, thuhet se në takim, theks i veçantë u vu në nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, si domosdoshmëri për efikasitet në ndjekjen dhe zbulimin e krimeve të ndryshme ndërkombëtare.

“Këmbimi i informacionit është thelbësor në rrethanat moderne të luftimit të krimit”, theksoi ministri Hyseni, dhe për këtë arsye Kosova synon dhe është e interesuar të anëtarësohet në Interpol si dhe të gjejë forma efikase bashkëpunimi me Europol-in.

Gjatë këtij takimi u fol po ashtu edhe për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit midis partive anëtare të EPP-së.

Ndërkaq, sot pasdite, ministri Hyseni do të takojë zëvendës-kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-synon-anetaresimin-ne-interpol/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala