Kosova siguron përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave

Autori:Gazeta Fjala

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u takua në Bruksel me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Aty Mustafa ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e veçantë që PE ka ofruar për Kosovën.

Kryeministri e njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet të gjithanshëm në Kosovë.

Kryeministri Mustafa ka theksuar rëndësinë e nënshkrimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke shprehur besimin se ajo do të ratifikohet së shpejti në Parlamentin Evropian.

Kryeministri Mustafa kërkoi përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, janë të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin pa viza duke mbetur të izoluar.

“Nuk ka më asnjë arsye për mosliberalizimin e vizave për kosovarët”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se BE-ja duhet të jetë në Kosovë dhe Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së.

Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka theksuar përkrahjen e PE-së për Kosovën, duke vlerësuar progresin që po arrihet, njofton Koha.net

Schulz shprehu mbështetje edhe për proceset integruese të Kosovës, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe hapat e tjerë të Kosovës.

Ai theksoi nevojën për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë, duke shprehur shqetësimin rreth tensioneve të fundit politike. Kryetari Schulz, po ashtu, ka shprehur përkrahjen e PE-së për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke vlerësuar rolin konstruktiv të Kosovës.

Gjatë takimit është biseduar edhe për aktet e fundit terroriste që ndodhën në Francë. Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka theksuar se këto janë probleme që kalojnë kufijtë nacionalë, duke shprehur angazhimin e fuqishëm të Kosovës në kuadër të koalicionit global kundër terrorizmit, duke përfshirë miratimin e akteve ligjore dhe masat konkrete që janë ndërmarrë.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri do të takohet edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini, Komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, eurodeputetët Ulrike Lunacek dhe Elmar Brook si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së e përfaqësues të bizneseve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-siguron-perkrahjen-e-pe-se-per-liberalizimin-e-vizave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala