Kosova shumë shpejt do të marr kredi ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës, shumë shpejt do të hyjë në kredi ndërkombëtare. Këto kredi do të jenë në lidhje me zhvillimin e projekteve që do të qojnë në zhvillimin ekonomik.
Këtë e tha ministri i financave në Republikën e Kosovës, Avdullah Hoti, para deputetëve të Kuvendit deri sa po diskutohet për rishikimin e buxhetit.
“Qeveria do të hyjë në kredi ndërkombëtare vetëm për investime kapitale, dhe ju (deputetet) do të jeni ata që do ta aprovoni secilën kredi që qeveria e Kosovës hyn në të”, tha Hoti.
Ai tha se projektligji i dorëzuar sot për plotësim ndryshim të ligjit për buxhetin është i domosdoshëm. “…ndryshimet janë substanciale, ne kemi arritur t’i kursejmë 149 milion euro… Unë e pranoj që ky është buxhet që nuk i përmbush nevojat, por është buxhet për aq sa kemi”, shpjegoi ministri.
Ndërsa për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ministri Hoti nuk është duke bërë asgjë më tepër se duke përsëritur deklaratat e ministrave para tij. “Ministri tha se ky është një buxhet i mundësive dhe jo i nevojave, dhe në këtë mënyrë ai vetëm e citoi ish ministrat e më hershëm”, tha Kurti.
Ndërsa në lidhje me kreditë ndërkombëtare Kurti tha se nuk do t’i votojnë ato, pa pasur së pari listën e projekteve të dorëzuar nga qeveria. “Ky është edhe problemi që njëherë po hymë në borxhe e mandej po e bini listën e projekteve”, tha Kurti.