Kosova plotëson deri në 80 për qind të konsumit të miellit

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë, Memli Krasniqi ishin sot në Komunën e Lipjanit, ku tek fermeri Mustafë Gashi panë nga afër fushatën e korrje-shirjeve.

Në mbarë Kosovën janë korrur mbi 50 % e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Sivjet, kemi mbi 84 mijë hektarë të mbjellë me grurë, dhe subvencionimi total nga MBPZHR-ja për kultivuesit e grurit është mbi 6 milionë euro. Fushata e korrjeve shirjeve do te vazhdojë edhe për gati dy javë të tjera.

Kryeministri Mustafa tha se këtë vit po bëhet një punë mjaftë e madhe në bujqësi, dhe se investimet janë rritur.

“Sot, dolëm bashkërisht me ministrin e Bujqësisë dhe me kryetarin e Komunës së Lipjanit, për të shënuar në mënyrë simbolike korrjet e grurit këtë verë. Në fakt, ne kemi arritur në Kosovë që afër 50 për qind të korrjeve t’i përfundojmë deri më tani dhe është punuar mjaft shumë. Janë rendimente të cilat në vise tjera nuk janë aq të pritura dhe aq të dëshiruara, mirëpo për fat të mirë këtu në Komunën e Lipjanit rendimentet janë mjaft të larta. Në këto parcela ku jemi, arrijnë deri në 5-6 mijë kilogramë për hektarë, që është rendiment shumë i lartë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Duke vlerësuar punën e madhe që është bërë nga Ministria e Bujqësisë këtë verë, edhe në subvencionimin e prodhuesve bujqësorë, kryeministri tha se në Kosovë janë rreth 84 mijë hektarë të mbjella me grurë dhe se rreth 44 mijë hektarë janë të mbuluara me subvencione, që është një kontribut shumë i madh.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se këtë vit janë shpërndarë subvencione në vlerë rreth 6 milionë e gjysmë vetëm për grurë, ndërsa në përgjithësi për bujqësi janë dhënë subvencione në vlerë 23 milionë dhe 20 milionë të tjera grante.

“Është një përkujdesje shumë e madhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për prodhimtarinë primare bujqësore. Ne dëshirojmë që edhe më tutje të nxisim prodhimtarinë, dëshirojmë që edhe më tutje të përpunojmë produktet bujqësore, dhe të arrijmë që të zëvendësojmë importin me prodhimtari bujqësore dhe atë ushqimore vendore”, tha kryeministri Mustafa, transmeton Lajmi.net.

Ndërkaq, ministri Krasniqi tha se Kosova këtë vit ka rendimente të kënaqshme, por theksoi nevojën që të mbjellën edhe më shumë sipërfaqe me grurë. Mbështetja e ministrisë tha ai, do të rritet në vazhdimësi.

“Realisht, pritet që të kemi një rendiment në mes 3.5 deri në 4 ton për hektarë. Këtë do ta dimë përfundimisht pasi që të përfundoj i gjithë procesi. Por mund të themi se edhe sipas analizave tona, që janë të bazuara edhe në analizat që i bën Organizata për Ushqim dhe Bujqësi të OKB-së, sivjet Kosova i plotëson 75% deri në 80% të nevojave të konsumit. Nevojat e Kosovës janë rreth 400 mijë ton, ndërsa ne këtë vit besoj që arrijmë së paku 300 mijë ton ta kemi prodhimtarinë. Do të thotë ende nuk kemi ta mbulojmë 100 për qind, dhe për këtë duhet që të ketë edhe 25 mijë hektarë shtesë me kultivim të grurit. Besojmë që siç ka qenë trendi i rritjes nga viti në vit për shtimin e tokës bujqësore, për kultivimin jo vetëm të grurit, por edhe të kulturave tjera, kjo të rritet edhe në të ardhmen”, tha ai, duke theksuar rritjen e subvencionimit që është bërë këtë vit për grurë, nga 125 euro në 150 euro për hektarë.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se Lipjani në vazhdimësi ka nxjerrë rendimente të larta të grurit, dhe shtoi se përkrahja nga qeveria nuk ka munguar për fermerët e kësaj ane.

Fermeri Mustafë Gashi theksoi se në vazhdimësi ka pasur mbështetje nga qeveria në veprimtarinë e tij bujqësore.

Ai u nda i kënaqur me rendimentet për këtë vit, që në mbi 30 hektarë, sa ka ai, ka nxjerrë deri në 5000 tonë për hektarë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-ploteson-deri-ne-80-per-qind-te-konsumit-te-miellit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala