Kosova njëra nga 5 vendet përfituese të fondit kundër ekstremizmit

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi në Nju Jork përfaqësuesit e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje (GCERF), zonjën Carol Bellamy, udhëheqëse e Bordit, dhe zotëri Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i fondit, me të cilët diskutoi përfshirjen e Kosovës në nismat e kësaj organizate për të çrrënjosur ekstremizmin dhe parandaluar radikalizimin.

Presidentja Jahjaga u shpreh e kënaqur me vendimin e Fondit Global që në dhjetor të këtij viti të formalizojë përfshirjen e Kosovës si njërin nga pesë shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë eurove për nisma dhe projekte që për qëllim kanë parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, transmeton Koha.net.

Sipas komunikatës për medie, Presidentja theksoi se është lajm i mirë që Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për t’u bërë një nga pesë shtetet në botë që përfitojnë nga nismat e fondit në këtë fazë dhe mirëpret vizitën e përfaqësuesve të kësaj organizate shumë shpejt në Kosovë.

Ky takim është në vazhdën e takimeve që presidentja Jahjaga ka pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate këtë vit në Gjenevë. Zyra e Presidentes ka komunikuar vazhdimisht me GCERF për përfshirjen e Kosovës në fondin e saj.

Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-njera-nga-5-vendet-perfituese-te-fondit-kunder-ekstremizmit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala