Kosova mund të pranojë numër simbolik të refugjatëve

Autori:Zekirja Shabani

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka bërë me dije se Kosova i ka aftësitë e limituara për të pranuar refugjatë nga Lindja e Mesme.

Ai ka vlerësuar lart gatishmërinë e presidentes së Kosovës dhe të disa kryetarëve të komunave për ta shikuar mundësinë e strehimit të refugjatëve, duke e konsideruar atë më shumë si shprehje e solidarizimit dhe humanitetit në emër të popullit të Kosovës.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme ka deklaruar se Kosova ka kapacitete të strehojë vetëm një numër simbolik të refugjatëve.

“Mendoj se edhe deklarata e presidentes është më shumë një shprehje e solidarizimit dhe humanitetit në emër të popullit të Kosovës. Sigurisht është joreale të pritet që Kosova ka mundësi të sistemojë refugjatë nga Lindja e Mesme, përveç një numri tepër simbolik. Pra, mendoj se atë që e ka thënë presidentja, është shprehje e vullnetit dhe shpirtit bujar të popullit tonë. Mundësitë janë tejet të limituara”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë me dije se problemet me të cilat përballet Kosova ia pamundësojnë të strehojë refugjatë.

“Sigurisht se Kosova, sipas bindjes sime, nuk është në gjendje ta marrë përsipër ndarjen e kësaj barre me shtetet pritëse të Evropës Perëndimore. Një vend që vetë përballet me largim të popullsisë së vet si emigrant drejt vendeve të BE-së, s’do të ishte reale të ftonte refugjatë, veçse ndoshta një numri simbolik si shprehje e vullnetit të mirë”, është shprehur Gashi.

Ai ka folur edhe për hezitimin e BE-së për t’i pranuar këta refugjatë, duke shtuar se kjo valë e ka zënë të papërgatitur BE-në.

Gashi ka vlerësuar se BE-ja duhet të adoptojë politika të përbashkëta për çështjen e refugjatëve, duke e bërë shpërndarjen e tyre në mënyrë proporcionale.

“Tani fluksi më i ri i refugjatëve nga Lindja e Mesme, i cili, siç duket, ka tendencë të rritjes së vazhdueshme, i ka zënë paksa ngushtë qeveritë e vendeve të BE-së. Kur ia shton kësaj edhe mungesën e një plani për shpërndarje të përbashkët të kësaj barre, atëherë hezitimi po bëhet edhe më i madh. Mendoj se BE-ja pashmangshëm duhet të adoptojë politika të përbashkëta për çështjen e refugjatëve, duke i dhënë secilit vend anëtar një rol dhe obligim të specifikuar lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka shprehur besimin e tij se imazhi rrëqethës i fëmijës së vdekur sirian në buzë të detit, që shpërfaqi përmasat e tragjedisë, do të ketë ndikim në sensibilizimin e qeverive dhe vendeve që kanë mundësi për të ndihmuar.

Gashi është shprehur i habitur me mosreagimin e vendeve arabe ndaj kësaj krize.

“Për mua nuk është shumë e qartë cila është arsyeja e vërtetë e hezitimit të vendeve të pasura të Lindjes së Mesme si Arabia Saudite, Emiratet, Katari, Bahreini, Indonezia etj. që nuk po ndihmojnë në këtë tragjedi të vëllezërve të tyre nga feja. Ndoshta është vetëm një arsye, frika nga përhapja e konfliktit edhe në këto vend, pra aspektet e sigurisë së tyre kombëtare. Por, në shikimin tonë, ky qëndrim është paksa zhgënjyes”, ka thënë Ibrahim Gashi.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-mund-te-pranoje-numer-simbolik-te-refugjateve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala