Kosova mund të pranohet në UNESCO pa qenë anëtare e OKB-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Anëtarësimi në UNESCO nuk është i kufizuar vetëm për vendet që janë anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kosova ka paralajmëruar se do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO, njërën nga 16 agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara e cila fushëveprimin e saj e ka në përcaktimin e trashëgimisë botërore krahas promovimit të bashkëpunimin midis vendeve anëtare në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, komunikimit dhe informimit.

Ka disa vjet që Kosova është anëtare e dy agjencive të specializuara shumë të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara: Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

UNESCO ka selinë qendrore në Paris të Francës, një buxhet vjetor prej afër 330 milionë dollarësh dhe me një staf prej 2 mijë vetash në 65 zyra të ndryshme anekënd botës.

Aktivitetet e UNESCO-s financohen përmes një kombinimi të kontributeve të përcaktuara për shtetet anëtare për buxhetin e saj të rregullt, si dhe kontributeve vullnetare. Kontribuuesi më i madh i buxhetit të UNESCO-s janë SHBA me rreth 22 për qind, mirëpo për shkak të pranimit të Palestinës në organizatë, Washingtoni ka ndalur këtë kontribut nga viti 2012 duke humbur kështu edhe të drejtën e votës në Bordin Ekzekutiv. Me Palestinën UNESCO ka 195 anëtarë.

Anëtarësimi në UNESCO nuk është i kufizuar vetëm për vendet që janë anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas kushtetutës së UNESCO-s shtetet që nuk janë anëtare të OKB-së mund të pranohen në organizatë me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv dhe me dy të tretat e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë të Konferencës së Përgjithshme.

Shumica e vendimeve të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, përfshirë edhe rekomandimet për anëtarësim, kërkojnë vetëm një shumicë të thjeshtë votash, raporton RTK.

Serbia e as Rusia nuk mund të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kosova do të pranohet nëse merr shumicën e votës së vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme.

Deklaratat e Serbisë kanë të bëjnë kryesisht me kundërshtimin e saj rreth avancimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës e shumë më pak rreth ndryshimit të statusit ‘të pronësisë’ së objekteve bizantino-ortodokse që tashmë janë të përcaktuara si trashëgimi botërore dhe me status nën mbrojtje të UNESCO-s, e që janë në territorin e shtetit të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-mund-te-pranohet-ne-unesco-pa-qene-anetare-e-okb-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala