Kosova me vetëm 2 milionë euro eksporte në Kroaci

Autori:Gazeta Fjala

Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë duhet të forcohet më shumë në të ardhmen, ndërkaq ndërmarrjet përmes investimeve të përbashkëta të dalin në vendet e treta.

Pengesat doganore të cilat janë evidente duhet rregulluar në mënyrë që të bëhet biznes pa pengesë ndërmjet dy vendeve.

Kështu u tha në forumin ekonomik Kosovë – Kroaci, që po mbahet në Prishtinë, organizuar nga odat ekonomike të të dyja vendeve, me mbështetje të ambasadave përkatëse, ku po marrin pjesë dhjetëra biznese kroate dhe kosovare.

Po ashtu u tha se marrëdhëniet e qëndrueshme politike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë duhet të reflektohen edhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mundësitë e shumta duhet të shfrytëzohen nga afaristët e të dyja shteteve dhe raportet të mos mbeten në nivel të tregtisë, por edhe të investimeve dhe paraqitjes së përbashkët të kompanive në tregje të treta,

“Na presin sfida të shumta dhe besoj që bashkërisht përmes një dialogu dhe partneriteti konstruktiv mund t’i shndërrojmë në favore dhe dua të besoj që me kalimin e kohës, Kroacia do të shndërrohet në një këmbë të urës që lidh Prishtinën dhe Brukselin”, ka thënë ai.

Kryetari i Odës Ekonomike kroate, Luka Burilovic, ka theksuar se vëllimi i shkëmbimeve tregtare është modeste me vetëm 70 milionë dollarë, prej të cilave vetëm rreth 2 milionë eksporte kosovare në Kroaci. Prandaj ai kërkoi intensifikim të marrëdhënieve ekonomike.

“Duhet të punojmë edhe më shumë në ndërlidhjen e ndërsjellë dhe rrjetëzimin në nivel dypalësh, në nivel rajonal por edhe atë evropian, pasi ka shumë mundësi për avancimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Burilovic, duke shtuar se organizimi i këtij forumi ka për qëllim që rezultatet ekonomike të cilat nuk po ndjekin politikën tradicionale të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.

Sipas tij, kontaktet e veçanta me bizneset tregojnë se ka mundësi të punohet shumë në tregun kosovar.

“Prandaj mendojmë që mund të arrijmë një shitje të mirë të makinerisë këtu por edhe të ndihmojmë bizneset kosovare për zhvillim dhe ngritje në nivel më të lartë”, ka shtuar ai.

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj, përmendi angazhimet e qeverisë rreth politikave ekonomike, që synim kanë krijimin e kushteve më të mira për biznese dhe investime strategjike.

Edhe afaristët vlerësojnë se mundësitë për bashkëpunim ndërmjet kompanive të të dyja vendeve janë të shumta, por institucionet përmes politikave përkatëse duhet ta lehtësojnë këtë bashkëpunim.

Gjatë forumit u nënshkruan edhe dy marrëveshje, njëra për bashkëpunimin ndërmjet odave ekonomike dhe tjetra për bashkëpunimin ndërmjet gjykatave të arbitrazhit pranë OEK-ut dhe Odës Ekonomike të Kroacisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-me-vetem-2-milione-euro-eksporte-ne-kroaci-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala