Kosova me televizion të ri nacional

Autori:Avdyl Pajaziti

Radiotelevizioni Dukagjini nga 1 qershori do të ketë skemë të re programore me qasje nacionale me shumë informacion dhe emisione.

Drejtori i këtij radiotelevizioni Ermal Panduri, ka thënë në një intervistë për Telegrafin se skema e re do të ofrojë shumë informacione dhe hapësirë për debat, derisa radio dhe televizioni do të jenë në një platformë të përbashkët.

Çfarë po ndodh me radion dhe televizionin Dukagjini?

Radio Dukagjini është radio më e dëgjuar në vend ndërkaq deri tash për shkak edhe të frekuencës tokësore regjionale televizioni ka shërbyer si televizion lokal duke i ofruar rajonit të Dukagjinit një mundësi të mirë informimi.

Kemi vlerësuar se ka ardhur koha që tash edhe televizioni të ketë qasje nacionale dhe bashkë me ekipin kemi përgatitur një platformë të përbashkët radio dhe televizion duke marrë shembull nga platforma të tilla tejet të suksesshme në shtete më të zhvilluara të globit.

Pos ekipit në Pejë, televizioni tash do të ketë edhe studion dhe ekipin në Prishtinë. Do të kemi edhe korrespodentët tanë në qendrat kryesore të Kosovës, në kryeqytetet e rajonit dhe qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare.

Pas përgatitjeve disamujore jemi gati që nga e hëna me 1 qershor të fillojmë transmetimin me skemën e re, duke e ofruar edhe sinjalin HD. Pos në frekuencën tokësore regjionale do të kemi transmetim edhe në të gjitha rrjetet kabllore televizive.

Si do të duken radio dhe tv bashkë?

Ato do të shërbejnë si një platformë e jashtëzakonshme e informimit por për më shumë do të tejkalojmë këtë mision të parë të medias duke e ngritur nivelin e raportimit tonë edhe në ekspozim të fenomeneve negative, adresimin dhe kërkimin e përgjegjësisë për to.

Fillimisht pjesë e përbashkët e radios dhe televizionit do të jenë dy emisione. Emisioni i mëngjesit “Zyra e Ankesave” ku qytetarët tregojnë për problem konkrete dhe për të cilat pastaj thirren zyrtarët, si dhe emisioni “Reload”, një emision argëtues që do të ofroj shumë informacion çdo pasdite.

Në televizion do të ketë edhe emisione të tjera debatuese, rubrika speciale dhe në 24 orë do të ofrojmë program të një kanali të lajmeve duke e bërë kështu RTV “Dukagjinin” platformën më alternative të informimit.

Pse tash dhe a ka hapësirë për media të reja në vend?

Nuk jemi media e re, mund te jemi të rinj për nga mosha por kemi përvojën tashmë të dëshmuar dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi se platforma dhe mënyra jonë e plasimit të informacionit do të mirëpritet nga opinioni. Mendoj se gjithmonë ka hapësirë për ide kreative. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-me-televizion-te-ri-nacional/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala