Kosova me çmim të benzinës më të ulët në rajon

Autori:Avdyl Pajaziti

Përmes një kumtese dërguar medieve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës, thekson se është duke ndjekur zhvillimet e fundit në tregun e vendit si dhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare dhe është duke u përkujdesur që të ketë të dhëna të përditësuara në lidhje me aktivitetet e bizneseve që merren me importimin dhe tregtimin e karburanteve të naftës.

MTI-ja , thotë kumtesa, ka analizuar gjendjen aktuale në tregun vendor dhe rajonal të shitjeve me pakicë dhe ka rezultuar se në krahasim me shtetet anëtare të BE-së dhe atyre të rajonit, Kosova sot e ka çmimin më të ulët të shitjes me pakicë të benzinës, ndërsa sa i përket dizelit, përveç Maqedonisë, Kosova e ka çmimin shitës më të ulët në rajon. Në ditët e fundit, çmimi mesatar i shitjes me pakicë të benzinës në rajonin e Prishtinës është 1.092 Euro/litër ndërsa ai i dizelit është 1.079 Euro/litër.

Në Kosovë, aktualisht janë rreth 40 importues ekonomik të licencuar që merren vetëm me importim të produkteve të dizelit dhe benzinës. Për shkak të konkurrencës, tregu i karburanteve të naftës në Kosovë është shumë dinamik dhe shpejt e rregullon çmimin e shitjes me pakicë, madje në mënyrë shumë më efikase se sa do ta rregullonte një rregullator. Kjo është dëshmuar me statistika të çmimeve të importit dhe të çmimeve të shitjes me pakicë. Rregullimi i çmimit maksimal apo i marzhës maksimale të shitjes me pakicë bëhet në disa shtete, dhe atë kryesisht në shtetet që nuk kanë konkurrencë të mjaftueshme, pra në tregjet në të cilat operojnë vetëm një numër i vogël i operatorëve ekonomik, siç janë Maqedonia dhe Mali i Zi ndërsa Kroacia deri në fund të vitit 2014 e ka rregulluar çmimin maksimal por që me direktivat nga EU-ja kanë kaluar në liberalizmin e tregut të karburanteve të naftës.

Sa për krahasim, këto ditë në Maqedoni e cila e ka Rregullatorin e çmimit, litri i benzinës është në shitje me 1.17 Euro ndërsa dizeli me 0.93 Euro/litri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-me-cmim-te-benzines-me-te-ulet-ne-rajon/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala