Kosova kërkon ndihmë akademike nga universitetet gjermane

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka kërkuar nga drejtuesit e Universitetit Humboldt në Berlin arritjen e një marrëveshje për shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve mes këtij universiteti dhe atij të Prishtinës.
Gjatë një vizite zyrtare në Gjermani Bajrami ka qëndruar në universitetin Humboldt është takuar me Kamper-van den Boogaart, zëvendëspresident për çështje akademike dhe marrëdhënie ndërkombëtare të këtij universiteti publik, i cili është njëri nga tri universitetet më të mira në këtë vend.
Ministri Bajrami, po ashtu, ka takuar edhe një grup të studentëve kosovarë, të cilët studiojnë në universitetet gjermane në Berlin. Ai shprehu kënaqësinë e tij që këta studentë po studiojnë në universitete me renome ndërkombëtare dhe kërkoi nga ata që pas studimeve të kthehen në Kosovë dhe dijen e tyre ta bartin te gjeneratat e reja. Ministry kosovarë paraprakisht është pritur në Bundestag nga deputetja e Bundestagut, njëherit kryetare e Komisionit për Edukim dhe Shkencë, Patricia Lips, si dhe anëtarët e këtij Komisioni.
Në këtë takim, ministri Bajrami është njohur me rolin e këtij komisioni në Bundestag, ndërsa i ka informuar deputetët gjermanë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për punën që po bëhet aktualisht dhe reformat e ndërmarra me qëllim të ngritjes së cilësisë.