Kosova ka 130 mijë vetura Volkswagen

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova është vendi më i populluar me vetura të markës Volkswagen. Nëpër rrugët tona çdo ditë qarkullojnë fiks 130,220 vetura të prodhuesit më të madh evropian.

Kjo është shifra zyrtare e veturave të regjistruara vitin e fundit sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dhëna të cilat i posedon Gazeta Fjala. Sipas MPB-së në Kosovë në fund të viti 2014 kanë qenë të regjistruara 290 mijë vetura. Pra, 45 për qind e tyre janë VW.

Por, nuk mbesin prapa as veturat tjera gjermane. Në vend të dytë janë veturat e markës Opel. Kosovarët ngasin 52,337 vetura Opel. Edhe vendi i tretë dhe ai i katërt janë të rezervuar për veturat gjermane, Mercedes-in dhe Audi-në. Janë mbi 34 mijë vetura të markës superiore të regjistruara në vend, përderisa Audi të regjistruara janë gjithsejtë 21 mijë. Së bashku me BMW-në del se në Kosovë janë 250 mijë vetura gjermane, apo mbi 85 për qind e të gjitha mjeteve motorike që lëvizin tek ne.

Vetura e vetme jogjermane që hyn në top 5 është Fordi, me mbi 16 mijë vetura. Por, dominimi i veturave gjermane nuk e bën Kosovën vend ku ka pak lloje të markave në rrugë.

Në shtetin tonë janë prezent afro 1000 lloje veturash. Specifikë tjetër, është se mbi 750 lloje janë te prezantuara vetëm me nga një veturë. Pra, të gjithë vozisin veturë që nuk e ka askush tjetër, duke i bërë ata unikë. Janë marka që nuk keni dëgjuar asnjëherë për to, megjithatë qarkullojnë në rrugët tona. Se çfarë emrash kanë mund t’i shihni edhe në foton e mëposhtme të veturave që fillojnë me germën A.

Modelet luksoze italiane po bëjnë garë me njëra tjetrën se cila të dominojnë në tregun tonë. Deri tash ka balotazh, sepse janë 7 kosovarë që kanë nga një Ferrari në garazhet e tyre e poaq nga një Lamborghini. Por, asnjë Bugatti, që llogaritet të jetë vetura më e shtrenjtë në botë nuk ka tabela RKS.

vetura

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-ka-130-mije-vetura-vloswagen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala