Kosova jashtë Bolonjës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova ka arritur të zbatojë kriteret dhe standardet e procesit të Bolonjës në arsimin e lartë, por ende nuk është anëtare e këtij procesi.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën, se mos anëtarësimi i Kosovës në procesin e Bolonjës është edhe çështje politike. Deri te shpallja e pavarësisë ishte problem anëtarësimi, sepse nuk mund të pranohej Kosova, tha Ministri, duke shtuar se tani ka mbetur problem mosnjohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian.

“Si ministër jam duke zhvilluar konsultat e fundit me kolegët e mi ministra të shteteve të BE-së, që të provojmë të kemi një përparim apo edhe një pranim. Uroj që ky vit të jetë një vit i anëtarësimit. Nuk është proces i lehtë, sepse nuk jemi ende anëtar të Këshillit të Evropës dhe anëtarë të asnjë konvente evropiane dhe kjo pak e pengon aspektin legal.”

Ministri Bajrami, tha se Ministria e Arsimit ka angazhuar mjaft njerëz dhe miq të Kosovës, për të lobuar për pranim në Bolonjë. Ai theksoi se Kosova e meriton të bëhet pjesë e këtij procesi, pasi siç tha, arsimi i lartë vazhdon të jetë më mirë se në shumë shtete të tjera të rajonit.

Zbatimi i Procesit të Bolonjës në Kosovë, ka filluar në vitin 2002/2003 dhe prej asaj kohe Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, kanë bërë përpjekje për zbatimin e strategjive të Bolonjës. Kosova ka aplikuar dy herë për t’u anëtarësuar në Bolonjë, por është refuzuar për arsye se nuk ishte ende shtet i pavarur.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-jashte-bolonjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala