Kosova importuese e madhe e produkteve bujqësore  

Autori:Zekirja Shabani

Në Kosovë prodhimet bujqësore ende importohen në sasi të mëdha nga vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, kurse eksporti mbetet në një përqindje të vogël. Derisa eksporti i përgjithshëm i Kosovës në vitet 2007 -2013 ishte rritur për rreth 100 milionë euro, eksportet bujqësore gjatë kësaj periudhe janë rritur vetëm për 2 milionë euro.  Këto shifra tregojnë dobësitë konkurruese të bujqësisë së Kosovës dhe prodhimeve agro-përpunuese dhe pamundësisë së tyre që të konkurrojnë me tregjet e huaja.

Këto thuhen në raportin “Tregjet potenciale për eksport” të publikuar ditë më parë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministria se Punëve të Jashtme e Finlandës.

Edhe ekspertë për çështje të bujqësisë pohojnë se niveli i prodhimeve bujqësore në Kosovë është shumë i vogël, por megjithatë cilësia është në nivelin e duhur.

Në Kosovë më shumë se 50 për qind e popullatës jeton në zonat rurale dhe përpunimi i ushqimit bujqësor mund të ndikojë në rritjen e nivelit të eksportit në vendet e rajonit apo tregjet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA), Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqi.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pranojnë se pas përfundimit të luftës në sektorin e bujqësisë nuk është investuar mjaftueshëm, por viteve të fundit zhvillimi i bujqësisë dheindustrisë agro-përpunuese është një nga prioritet e ekzekutivit.

Jusuf Cikaqi nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, thotë se fokusin kryesor e ka në zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella më kultura të ndryshme si dhe rritjes se cilësisë së këtyre produkteve .

Ai thotë se në këtë sektor, këtë vit, do të investohen 43 milionë euro.

“Nga këto 43 milionë euro, 20 milionë janë për grante dhe 23 milionë janë për subvencione direkte. Dhe përmes kësaj mbështetjeje, këtij buxheti, MBZHR fillimisht e ka pasur orientimin vetëm te rritja e sipërfaqeve ose rritjen e prodhimtarisë. Nga viti 2012 ka filluar të mbështes edhe sektorin e agro-përpunimit”, shprehet Cikaqi./REL/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-importuese-e-madhe-e-produkteve-bujqesore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala