Kosova i ka 362 mijë bujq

Autori:Avdyl Pajaziti

Më shumë se 362 mijë qytetarë të Kosovës merren me bujqësi. Megjithatë, një pjesë shumë e vogël e tyre e shohin si biznes dhe i kanë të regjistruara fermat e tyre.

Të gjithë këta i punojnë 512 mijë hektar tokë, ku më shumë se 413 mijë hektarë tokë apo 41.8 për qind e sipërfaqes totale të tokës në Kosovë shfrytëzohet për prodhim, raporton Gazeta Fjala.

Të dhënat e regjistrimit të bujqësisë tregojnë se pjesa më e madhe e kosovarëve, nga të gjitha ekonomitë e regjistruara bujqësore, apo 130,436 sosh del se janë ekonomi familjare bujqësore dhe Biznese Individuale, ndërsa vetëm 339 prej tyre janë subjekte juridike.

Mosha mesatare e bartësve të Ekonomive Familjare Bujqësore dhe Bizneseve Individuale është 52, vjeq, ndërsa shumica e tyre janë meshkuj.

E në mesin e anëtarëve të familjes së bartësve, që punojnë në Ekonomi Familjare Bujqësore dominojnë femrat.

Sipas regjistrimit niveli i shkollimit të fuqisë punëtore bujqësore është i ulët.

Sa i përket shkollimit/trajnimeve në bujqësi, më shumë se 95% e menaxherëve kanë vetëm përvojë praktike në bujqësi.

tabela

Bujqit kanë pak traktor

Ndërkaq, vetëm një e dyta e këtyre punuesve të tokave kanë traktor, dhe 73 për qind e tyre kanë traktorët që janë më të vjetra se 20 vite, shkruan Gazeta Fjala.

Prej gjithsej sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore, pjesa më e madhe i takon livadheve dhe kullotave (54.3%). Një karakteristikë e rëndësishme në Kosovë është shfrytëzimi i tokës së përbashkët, që përfshin më shumë se 66% të livadheve dhe kullotave.

“Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, 10.5% (43 491 ha) mund të ujitet. Në vitin 2014, që në përgjithësi ka qënë vit me të reshura të mjaftueshme, rreth gjysma e kësaj sipërfaqe ishte ujitur (22 888 ha). Kulturat më të ujitura në vitin 2014 ishin misri kokërr dhe misri i gjelbër(foragjer), që përbëjnë 27.2% të gjithsej sipërfaqës së ujitur. Pjesa më e madhe e tokës bujqësore është ujitur nga ujërat sipërfaqësore (përrua, lum, liqe), 38.4%, dhe nga hidrosistemi, 31.7%”, thuhet në regjistrim.

Më shumë mbillet grurë dhe misër në Kosovë

Gruri dhe misri janë kulturat të cilat më së shumti punohen në tokat e punueshme të sipërfaqës së përgjithshme të tokës bujqësore, e cila për një kokë banori është mjaft e ulët 0.10 hektarë tokë.

Specat, qëpët dhe shalqiri janë prej perimeve që më së shumti janë mbjellur në këto toka, ku zënë 3.7 për qind të sipërfaqes së tokës së punueshme.

Numri i Ekonomive Bujqësore me plantacione të pemëve është 11 677.

Ekonomitë Bujqësore me plantacione të pemëve kultivojnë mesatarisht 0.3 ha. Shumica e sipërfaqes së plantacioneve të pemëve është e kultivuar me mollë (56.1%) dhe kumbull (19.9%).

Në kulturën e vreshtave, dominon tradita e vjetër e kultivimit të rrushit për verë e cila zë 58.6 për qind të tokës së punuar me vreshta. Ekonomitë Bujqësore në aspektin e vreshtave kultivojnë nga 0.52 hektar tokë.

“Numri i Ekonomive Bujqësore që merren me blegtori ishte 91 227, ku pjesën më të madhe të saj e përbëjnë gjedhet me 71 për qind, ku më shumë se gjysa e tyre janë lopë qumështore. Pjesa tjetër përbëhet nga shpezët 17për qind, delet 7për qind dhe kafshët e tjera me 5 për qind. Mesatarja e shfrytëzimit të tokës për njesi blegtorale është 0.7ha”.

Gjithsej numri i deleve në Kosovë është 183,584, të cilat rriten nga më shumë se 2 mijë ekonomi bujqësore. Nga gjithë këto dele 146,924 mijë janë dele për mbarsim.

Pas deleve, në Kosovë më së shumti rriten derra, gjithsej 34.118, nga më se 6 mijë familje.

Numri i dhive është dukshëm më i vogël se ajo i deleve, gjithsej janë 28,430 dhi, ku 11.3 krerë është mesatarja e tyre për mbarsim.

Nga më shumë se 67 mijë ekonomi bujqësore të cilat mbajnë në total  2,691,831 shpezë, ku 96për qind të shpezëve e zënë vendin pulat.

Gjithsej numri i Ekonomive Bujqësore, që mbajnë bletë ishte 6 018. Ato kishin gjithsej 116 172 koshere bletësh. Numri mestar i koshereve të bletëve për Ekonomi Bujqësore është 19./Gazeta Fjala/

tabela 2

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-i-ka-362-mije-bujq/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala