Kosova hynë borxh për asfalt e hekurudhë

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës e ka bërë gati listën e projekteve infrastrukturore që duhet realizuar në këtë mandat.

Lista e projekteve fillon me një linjë hekurudhore që do të filloj nga Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë që do të shpie drejt kufirit me Serbinë, konkretisht në Merdare.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet ministri i financave Avdullah Hoti.

“Nga Hani i Elezit deri në Merdare, do të funksionalizohet dhe modernizohet hekurudha”, ka bërë të ditur Hoti.

Por qeveria e drejtuar nga Kryeministri Isa Mustafa ka edhe plane tjera.

Rruga nga Ferizaj deri tek Dheu i Bardhë në kufi me Serbinë do të kthehet në autostradë moderne.

Planet janë që të vazhdohet me punime edhe në rrugën Prishtinë-Pejë e të shtrihet edhe  hekurudha Prishtinë-Podujevë.

Për asnjërin nga këto projekte nuk ka para në arkën e shteti.

Për realizimin e tyre parashihet që të merren hua nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Ministri Hoti, ka treguar se adresa e parë është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo do të rris edhe më tej nivelin e borxhit të shtetit. Aktualisht ky borxh është gati sa gjysma e buxhetit të Qeverisë së Kosovës.

Në fund të muajit dhjetor 2014, plotë 582.87 milionë euro ishte shuma të cilën qytetarët duhet ta paguajnë me taksat e tyre institucioneve financiare vendëse e ndërkombëtare.

Nga kjo shumë borxhi ndërkombëtar është 326.35 milion euro ndërsa borxhi i brendshëm është 256.52 milion euro.

Megjithatë, duket se kjo është forma e vetme për të financuar projektet e listuara, pasi Kosova ka nevojë për fonde të reja.

Për ti siguruar ato Gazeta Fjala pati raportuar se Qeveria e Kosovës shumë shpejtë do të nisë negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për të marrë një kredi qindra milionëshe.

Në Ministrinë e Financave tashmë kanë filluar përgatitjet për të rritur nivelin borxhit publik. Këtë e ka konfirmuar edge ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti.

Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur qeverinë për zhvillimin e vendit. Ai ka thënë se programi i FMN-së, i mundëson Kosovës hyrjen në kredi me kushte të volitshme dhe afatgjate, për financimin e projekteve madhore.

“Në këtë drejtim, do të rishikohet rregulla fiskale sa i përket shpenzimeve buxhetore për të mundësuar investime kapitale në projekte në sektorë si bujqësi, infrastrukturë dhe furnizim me ujë, të cilët projekte krijojnë mundësi zhvillimore dhe punësim. Në veçanti, projektet e ujitjes së tokave bujqësore krijojnë mundësi për rritje të prodhimtarisë bujqësore për të zëvendësuar importin e madh të produkteve ushqimore”, ka thënë Hoti.

Shumë shpejtë në Kosovë ka paralajmëruar një vizitë zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, Min Zhu.

Në raportin e fundit për Kosovën, Fondi Monetar ndërkombëtar i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kosovës për një numër të madh shqetësimesh serioze për të ardhmen e vendit.

Orientimi i gabuar i investimeve të huaja direkte, planifikim i keq i buxhetit e shpenzime të orientuara politikisht gabim janë disa nga veprimet që i vuajnë taksapaguesit.

Planifikimet buxhetore, sipas raportit të fundit të FMN-së, nuk janë në harmoni me nevojat e Kosovës dhe është kërkuar ndërhyrje urgjente në këtë çështje.

“Që nga shpallja e pavarësisë, pagat e sektorit publik janë më shumë se dyfishuar, duke lënë pas në masë të madhe produktivitetin, pagat e sektorit privat, ose pagat publike në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për të akomoduar këtë rritje të mprehtë në shpenzimet e tanishme, shpenzimet kapitale janë ulur ndjeshëm gjatë së njëjtës periudhë (4 pikë përqindje GDP), pavarësisht nga nevojat urgjente të zhvillimit të Kosovës”, thuhet në raport.

Në këtë raport thuhet shumë direkt se në Kosovë, rritja e pagave në sektorin publik ka qenë kryekëput për arsye politike, duke rezultuar në pasoja negative ekonomike.

Përveq kësaj, shpenzimet në arsim kanë mbetur të ulëta në krahasim me shpenzimet tjera dhe sipas zyrtarëve të Fondit ato gjithnjë e më tepër janë në rënie.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-hyne-borxh-per-asfalt-e-hekurudhe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala