Kosova hyn borxh edhe 400 milionë në FMN

Qeveria e Kosovës së bashku me ambasadorët e shteteve të huaja në Kosovë dhe zyrtarë të BE-së kanë mbajtur një takim të Forumit të Nivelit të Lartë ku është bërë prezantimi i strategjisë kombëtare për zhvillim ekonomik.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ky takim është shumë i rëndësishëm dhe pritet që nga Fondi Monetar Ndërkombëtar Kosova të përfitojë edhe 400 milionë euro shtesë gjatë viteve të ardhshme, njofton Klan Kosova.
Sipas Mustafës, qeverisja e tij ka arritur të ngrisë të ardhurat personale për 6 % ndërsa tha se kanë siguruar rritje për ndihmë sociale për 15 %.
Ai gjithashtu shtoi se pritet që në vitin e ardhshëm të ketë rritje të pagave për kontributdhënësit për 30 %.
Sipas tij, përmes politikave fiskale ekonomia e vendit është në rritje dhe synohet që viteve të ardhshme të jetë edhe më e mirë ndërsa BE është cilësuar si donatori më i madh i Kosovës.
Sipas zyrtarit të BE-së, Thomas Gnocchi që është shef për ekonominë e integrimeve evropiane BE do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në sektore të rëndësishme që të bëhet rritja ekonomike.
Gjatë këtij takimi është bërë edhe prezantimi i të gjitha projekteve të 22 donatorëve ndërkombëtarë.