Kosova fiton së paku 100 milionë euro nga rritja e frangut zviceran

Autori:Avdyl Pajaziti

Forcimi i Frangut zviceran karshi euros me afro 30 për qind bën që Kosova të jetë një nga fitimtarët më të mëdhenj. Llogaritet se rreth 200 mijë kosovarë jetojnë në shtetin helvetik dhe janë mjaft të lidhur me vendin amë. Ata dërgojnë rreth gjysmën e remintancave, pra afro 250 milionë euro në vit. Ky është kalkulim i përafërt për shkak të koncentrimit të madh të diasporës tonë në këtë shtet dhe faktit se është vendi më i zhvilluar i botës. Kjo bën që edhe bashkëatdhetarët tanë atje të kenë para më tepër në dispozicion se në vendet tjera.
Për të arritur këtë shumë, mërgimtarët tanë është dashur të dërgojnë 325 milionë franga zvicerane. Por, tash nëse i dërgojnë 325 milionë franga, ato përkthehen në po aq euro, duke bërë që në arkat e familjeve të varfra kosovare të kenë 75 milionë euro më tepër.
Kosova mund të fitojë para shtesë nga frangu i fortë pas ardhjes së fluksit të emigrantëve nga Zvicra në Kosovë, sidomos gjatë verës. Konvertimi i frangave të tyre në euro i bën mallrat dhe shërbimet në Kosovë rreth 30 për qind më të lira. Rrjedhimisht ata do të harxhojnë më tepër para në vendlindje.
Fitimi si i tillë shkon në mbi 100 milionë euro.
Ky fitim është thuajse krejtësisht neto, sepse çmimet e shtrenjtuara në Zvicër nuk kanë impakt në Kosovë.
Shtrenjtim do të pësojnë vetëm importet nga Zvicra të cilat nuk janë të larta. Kosova importon nga Zvicra mallra në vlerë prej 22 milionë eurosh të cilat do të kushtojnë 28.5 milionë euro. Por, kjo kompensohet me eksporte drejt këtij vendi. Kosova eksportonte mallra në vlerë prej 15 milionë eurosh, të cilat do të kushtojnë tashmë më lirë për zviceranët. Kjo mund të rritë eksportet e vendit tonë tutje, sidomos mallrat tona tradicionale kur dihet numri i madh i bashkatëdhetarëve tanë në Zvicër.
Frangu u forcua përnjiheri ndaj euros pasi Zvicra vendosi ta heqë masën që mbante kursin fikst të këmbimit ndaj monedhës së përbashkët evropiane.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-fiton-se-paku-100-milione-euro-nga-rritja-e-frangut-zviceran/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala