Kosova, edhe 50 vjet me deficit tregtar

Autori:Gazeta Fjala

Pavarësisht se gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje të lehtë mallrat tona të eksportuara në tregjet e huaja, prapë vazhdon të jetë një deficit i lartë tregtar në Kosovë, pasi ka edhe rritje tek importet. Eksporti mbulon importin vetëm 12 për qind, dhe se shtetet të cilat prijnë për futjen e mallrave në tregun tonë janë Serbia me mbi 200 milionë euro, pastaj Gjermania me 170 milionë, kurse Turqia, Kina dhe Italia me eksportet e tyre drejt Kosovës e kalojnë shifrën mbi 100 milionë euro.

Ndër produktet më të importuara janë derivatet e naftës, duhani, automjetet, mishi etj. Ndërsa, vendi ynë për këta muaj të këtij viti ka eksportuar më së shumti metale bazë, prej 55 milionë euro, produktet minerare 19 milionë dhe produktet ushqimore 8 milionë euro.

Njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, siç transmeton KP, thonë se nëse vazhdohet të ecet me këtë ritëm për përkrahjen e sektorit prodhues, Kosovës i duhen edhe 50 vjet për ta balancuar bilancin negativ tregtar. Ata kërkojnë veprime nga pushteti dhe revulicion të politikat fiskale ekonomike dhe financiare.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha për KosovaPress se eksportet në vlerë monetare shënuar rritje rreth 30 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Faktikisht për shtatë muajt e parë të këtij viti, prej janari deri në fund të korrikut, ne kemi pasur një rritje të lehtë të peshës dhe vlerës së importit. Kjo rritje mund të quhet rritje jo domethënëse, po ashtu, edhe në përqindje është mjaft e ulët. Kurse një faktor tjetër mjaft i mirë është rritja e eksporteve në vlerë monetare për afërsisht mbi 30 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2014”, thotë Stavileci.

Zyrtarë të Doganës thonë se te importet kryesisht prijnë derivatet e naftës, jo vetëm për këtë vit por që nga themelimi i doganës që është bërë evidentimi i statistikave, derivatet e naftës, duhani dhe automjetet janë importet të cilat sjellin më së shumti të hyra për buxhetin e Kosovës, mirëpo në anën tjetër edhe janë produktet për të cilat edhe shpenzohet më së shumti.

“Nëse shikohet sipas vlerës të mbi 100 milionë euro prej vende që ne importojmë, prinë Serbia me mbi 200 milionë euro eksporte drejt Kosovës, pastaj Gjermania me mbi 170 milionë euro, pastaj Turqia, Kina dhe Italia të cilat eksporti i tyre drejt Kosovës e kalon shifrën mbi 100 milionë euro. Këto janë pesë vendet nga të cilat kosovarët blejnë më së shumti”, deklaron Stavileci.

Në aspektin e eksportit janë tri grupe të produkteve në të cilat bëjnë pjesë metalet, mbetjet e metaleve të cilat eksportohen kryesisht në Shqipëri dhe në Maqedoni. Gjithashtu, pjesë e eksportit bëjnë pjesë edhe produkteve ushqimore si dhe produktet minerare.

Ndërsa, përfaqësues të komunitetit të bizneseve thonë Qeveria e Kosovës duhet që të kalojë nga vëzhgimi dhe nga konstatimi në veprim për bërë reforma revulicionare, për perspektivë në prodhim, investime të huaja dhe për rritjen e buxhetit të Kosovës, duke i ofruar qytetarit edhe më shumë mirëqenie sociale.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini thotë se Kosovës i duhen edhe 50 vjet për të ardhur në 50 për qindëshin e uljes së importit të produkteve të gatshme.

“Në trendin aktual, i cili është duke u reformuar politika dhe duke u zhvillua ekonomia e vendit dhe balancet negative tregtare që Kosova aktualisht ka që nga pas lufta e këndej, neve na duhen edhe 50 vjet që me këtë trend të ecim për të ardhur në 50 për qindëshin e uljes së importit të produkteve të gatshme”, tha Shahini.

Ai tha se institucionet shtetërore pa krijuar një partneritet të qëndrueshëm me sektorin privat e sidomos me atë të prodhues, Kosova nuk do të mund të ecë përpara. Përparësia e Kosovës, sipas tij është shumë e madhe duke nisur në resurset dhe potencialin që ka.

Kreu i AKB-së thotë se çdoherë kanë tentuar të ngritin vetëdijen e konsumatorëve dhe institucioneve për të mbështetur ekonominë dhe prodhimin e vendit.

“Ne si Aleancë e Biznesit vazhdimisht kemi tentuar dhe po tentojmë që të ndritim vetëdijen qytetarëve dhe institucioneve për të mbështetur ekonominë dhe prodhimin e vendit në mënyrë që të zëvendësohet importi i cili është më i larti në regjion dhe eksporti i parave të gatshme më i madhi prapë në regjion për produktet e gatshme”, thekson Shahini.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për një reformë revulicionare të politikave fiskale ekonomike dhe financiare në mënyrë që të zëvendësohet importi me prodhim vendi, të rriten mundësitë dhe fuqia për eksport, sepse edhe raporti i progresit dhe raporti i Bankës Botërore tregon se fuqia konkurruese e prodhuesve vendor në tregjet e bashkimit evropian mbetet i dobët për shkak të politikave të zbatueshme të këqija që i k a Kosovë.

Sipas tij, edhe pas 16 viteve të pasluftës ende rreth 90 për qind Kosova varet nga importi i produkteve të gatshme e që dikur Kosova ka mundur dhe ka qenë një vend prodhues.

Shahini tha se Serbia është lider i eksportit në Kosovë e që ka lënë mbrapa për herë të parë në vitin e kaluar Gjermaninë.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për KosovaPress thotë se debalancet tregtare janë shkas i politikave fiskale të cilat vendi i zbaton dhe këto politika nuk janë aspak në favor të sektorit prodhues.

“Disbalanci me të cilin përballemi ne si shtet… është rezultat i politikave fiskale të cilat vendi ynë ka zbatuar në masë të madhe gjatë viteve të fundit. Politikat fiskale nuk kanë qenë aspak në favor të sektorit të prodhimtarisë dhe rrjedhimisht kemi ardhur në këtë situatë kur pothuajse importojmë gjithçka nga artikujt të cilët nuk prodhohen në vendin tonë deri te artikujt të cilët prodhohen dhe për të cilat besoj se kemi kapacitete të mjaftueshme që të mbulojmë nevojat e tregut vendor”, thotë Zeka.

Ai beson se arsye kryesore pse Serbia është importuesi më i madh, është sepse Kosova vazhdon të importoi më së shumti produkte nga Serbia dhe siç tha ai nuk ka as një arsye tjetër përveç afërsisë gjeografike dhe lehtësisë së depërtimit të mallrave nga prodhuesit serb në tregun kosovar.

Zeka thotë se viteve të fundit kanë parë një rritje të eksportit të produkteve kosovare në vendet e tjera. Kjo sipas tij, mund t’i referohet ngritjes së cilësisë së produkteve të caktuara të cilat prodhohen në vendin tonë. Kreu i OEAK tha se për veç kësaj, prodhuesit kanë bërë edhe një përvojë po edhe kanë arritur që të standardizojnë këto produkte duke u certifikuar me notat m e standarde më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë.

Edhe pse prodhuesit tanë kanë punuar ndoshta në ngritjen e cilësisë, meqenëse në fund të fundit është konsumatori ai i cili përcakton dhe cili produkt do të ketë shitje më së shumti.

Ndryshe, edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë për një deficit tregtar më të larët për muajin qershor 2015 prej 207,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 188,6 milionë me periudhën e njëjtët të vitit 2014. Eksporti mbulon importin 12.8%. Eksporti i mallrave kishte vlerën 30,4 milionë euro, ndërsa importi 238,0 milionë, është një rritje prej 12.1% për eksport, si dhe 10.3% për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, sipas ASK-së partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së të cilat marrin pjesë me 34.8% për eksport dhe 42.5% për import, ndërsa vendet e CE FTA-së merë pjesë me 40.9% për eksport dhe 29.8% për import, në raport me qershor e vitit 2015.

Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Shqipëri 14.1%, Serbia 11.3%, Maqedoni 11.0%, Belgjikë 9.5%, Itali 8.8%, Indi 7.8% etj. Ndërsa, sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia 13.6%, Gjermania 11.5%, Turqia 9.5, Kina 9.3%, Italia 8.3%, Shqipëria 6.8%, Maqedonia 6.1% etj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-edhe-50-vjet-me-deficit-tregtar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala