Kosova e gatshme për autostradën Durrës-Prishtinë-Nish

Autori:Gazeta Fjala

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në margjina të Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, i cili po mbahet në Vjenë, ka marrë pjesë në një takim të zhvilluar për projektin e autostradës Durrës-Prishtinë-Nish.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, si dhe presidenti i Bankës Evropiane për Investime, Werner Hoyer.

Gjatë takimit është diskutuar për modalitetet e ndërtimit të pjesës së mbetur të kësaj autostrade, si dhe mundësitë e financimit nga fondi i ndarë nga Bashkimi Evropian për rrjetin bazë të infrastrukturës, si dhe aspekte të tjera, që lidhen me rëndësinë e këtij projekti për tre shtetet.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa theksoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të punuar në përfundimin e kësaj autostrade, duke e vlerësuar të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për lëvizjen e qytetarëve të rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa tashmë po merr pjesë në sesionet e Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, ku po marrin pjesë edhe kancelarja Federale Gjermane, Angela Merkel, kancelari Federal Austriak Werner Faymann, komisionerja Evropiane Federica Mogherini, kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe përfaqësues të shteteve dhe të mekanizmave të BE-së dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. Kryeministri Mustafa ka prezantuar një varg projektesh konkrete në funksion të zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës dhe integrim të mëtejmë të rajonit në Bashkimin Evropian./ Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-e-gatshme-perautostraden-durres-prishtine-nish/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala