Kosova do të ketë rritjen ekonomike më të madhe në rajon

Autori:Avdyl Pajaziti

Sipas raportit të Bankës Botërore, ekonomia e Kosovës ka rritjen më të madhe në krahasim me ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto ritme parashikohet të karakterizojnë ekonominë e Kosovës edhe në dy vitet e ardhshme.

Ndërsa rritja e sivjetshme e ekonomisë së Kosovës nga Banka Botërore vlerësohet të shënojë rritje me 3.0 për qind (krahasuar me një vit më parë, kur ishte vetëm 1.0 për qind) në vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3.5, kurse më 2017 do të rritet me 3.7 për qind.

Banka Botërore thotë se ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet me 2.7 për qind për vitin 2015 dhe parashikon një rritje prej 3.4 për qind për vitin pasardhës, ndërsa ajo e Kosovës 3.0, përkatësisht 3.5 për qind.

Në një raport të publikuar ditën e hënë për ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, BB thotë se ekonomitë e rajonit po rifitojnë rritjen graduale të ekonomisë, që do të vijojë edhe për dy vitet e ardhshme, nxitur më shumë nga ulja e çmimit të naftës, rritja e kërkesës, por edhe përmirësimi i situatës ekonomike globale.

“Në Shqipëri rritja është nxitur kryesisht nga investimet private dhe eksportet, ndërsa konsumi ka mbetur i ulët, duke reflektuar besimin e ulët të konsumatorëve. Investimet publike, të cilat janë zgjeruar deri tani, mund të preken nga përpjekjet për konsolidim fiskal, në mungesë të përshtatjeve të tjera”, thuhet në pjesën për Shqipërinë në raportin e BB-së.

Për vitin e ardhshëm, BB parashikon një rritje prej 3.4 për qind për ekonominë e Shqipërisë, dhe 3.5 për qind për vitin 2017.

Për Kosovën parashikimet e Bankës Botërore thonë se në vitin e ardhshëm rritja ekonomike do të jetë 3.5, kurse më 2017 do të kapë përqindjen 3.7.

Sa u takon vendeve të rajonit, parashikimet për rritjen më të lartë ekonomike janë për Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa më të ulëtat janë për Serbinë. Si mesatare rajonale, parashikohet që ky vit të mbyllet me rritjen modeste prej 1.8 për qind, 2.4 për 2016-n dhe 2.7 për vitin pasardhës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-do-te-kete-rritjen-ekonomike-me-te-madhe-ne-rajon/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala