Kosova dhe Shqipëria me katër projekte në infrastrukturë e turizëm

Grupe punuese nga të Kosova dhe Shqipëria kanë punuar për një periudhë nëntë muajor duke dalë me katër projekte konkrete, në fushën e turizmit dhe infrastrukturës.
Këto katër projekte përfshijnë krijimin e një brezi të gjelbër me shtigje për këmbësorë e çiklistë, si dhe shfrytëzimin e përbashkët të liqenit të Fierzës.
Kjo është bërë e ditur sot në takimin e zhvilluar mes ministrit të Ambientit të Kosovës Ferid Agani, dhe ministres së Zhvillimit Urban të Shqipërisë, Eglantina Gjermeni.
Agani dhe Gjermeni janë pajtuar që të ngrihet një komitet drejtues, i cili do të vazhdojë punën në konkretizimin e këtyre projekteve, për t’i bërë të gatshme për financim nga dy qeveritë, si dhe nga fondet e Bashkimit Evropian që janë të destinuara për zhvillimin e bashkëpunimit rural ndër-rajonal.
“Katër projektet konkrete të bashkëpunimit ndërkufitar konkretizojnë bashkëpunimin e komunave të Gjakovës dhe Prizrenit në anën e Republikës së Kosovë me bashkitë e Hasit, Kukësit dhe Tropojës në Republikën e Shqipërisë”, tha ministri Agani, transmeton Gazeta Fjala.