Kosova, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia – burime për xhihadistë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ballkani Perëndimor është një burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën”, ka thënë Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee.

Këto komente zyrtari amerikan i ka bërë gjatë një dëgjimi të mbajtur më 29 prill në Komitetin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhënie me Jashtë, mbi Ballkanin Perëndimor.

Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë posaçërisht vende të shquara burimi. Individë të caktuar janë duke u radikalizuar dhe motivuar për të luftuar në Siri dhe Irak nga një numër faktorësh”.

“Stagnimi ekonomik dhe mungesa e opsioneve të punësimit janë faktorë.Gjithë kësaj i shtohet pastaj edhe skepticizmi që qytetarët kanë në raport me qeveritë e tyre”, ka thënë në dëshminë e tij zoti Hoyt Brian Yee.

Ai ka rikujtuar se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke e marrë shumë seriozisht këtë kërcënim – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë miratuar tashmë ligjin që sanksionon luftëtarët e huaj dhe ata që i mbështesin këta luftëtarë”.

Diplomati amerikan ka thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “janë duke ofruar ndihmë thelbësore përmes këshillimeve teknike, trajnimeve në ndërtimin e kapaciteteve për rastet që ndërlidhen me terrorizmin dhe forcimin e bazës ligjore”.

“Madje, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar së fundmi një prokuror amerikan në ambasadën amerikane në Tiranë, në cilësinë e një Këshilltari Ligjor Kundër-terrorizmi, me përgjegjësi rajonale”, ka thënë zoti Hoyt Brian Yee, në seancën dëgjimore, të kryesuar nga kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher.

Gjatë kësaj seance është folur për secilin vend të Ballkanit Perëndimor veç e veç, duke përmendur këtu sfidat dhe përparimet që këto vende kanë përmbushur.

Në rastin e Kosovës është përmendur edhe çështja e themelimit të Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte, duke e cilësuar si të rëndësishme këtë Gjykatë jo vetëmpër viktimat, por edhe për të ardhmen e Kosovës në tërësi./Radio Evropa e Lirë/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kosova-bosnja-shqiperia-maqedonia-burime-per-xhihadiste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala