“Kosova A” nuk bënë të mbyllet

Qeveria e Kosovës ishte zotuar se deri në vitin 2017 do të mbyllë së funksionuari Termocentralin “Kosova A”. Këto zotime janë dhënë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, për zbatimin e standardeve të BE-së në emetimin e gazrave.
Zyrtarë të qeverisë thonë se kjo çështje do rregullohet në kuadër të Strategjisë së Energjisë e cila pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, kurse ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se mbyllja e Termocentralit “Kosova A” nuk duhet të ndodhë pa ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Udhëheqësi i departamentit të energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Luan Morina, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, nuk e përmend vitin 2017 si përfundimtar për mbylljen e këtij termocentrali.
Por, ai thotë se mbyllja do të fillojë nga qeveria, pasi që të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Edhe ish ministri i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, Ethem Çeku, konsideron se nuk duhet të ndodhë mbyllja e termocentralit “Kosova A” pa përfunduar projekti i ri energjetik.
Ndryshe edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se konform zotimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, duhet bërë dekomisionimin e termocentralit më të vjetër në Kosovë, i cili përdor teknologji shumë të vjetër në gjenerim të energjisë.