Korrupsionin e luftojnë qytetarët

Korrupsioni në Kosovë është një sistem i shtrirë në të gjitha institucionet. Ai është vështirë të luftohet nga vetë institucionet. Por atë mund ta mposht qytetari. Kështu mendon përfaqësuesi i rezident i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell.
Gjatë një ligjërate të hapur të tij të mbajtur në kolegjin “Universum” në Prishtinë, ai kërkoi nga studentët që të raportojnë çdo rast korruptimi që ata hasin apo dëgjojnë.
“Korrupsioni në Kosovë është një sistem i shtrirë pothuajse në të gjitha institucionet, ku më shumë e ku më pak”, tha Russell para studentëve të kolegjit “Universum” në Prishtinë.
Rusell u shpreh se Agjencia Kundër-Korrupsionit, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe akterë të tjerë kanë rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit në Kosovë por janë qytetarët instrumenti më i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit në Kosovë.
“Më të rëndësishmit janë qytetarët dhe angazhimi i shoqërisë në luftimin e korrupsionit, qytetarët duhet të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet rreth kësaj çështje”, deklaroi Russell.
Ai shpalosi disa prej programeve aktive të UNDP-së të cilat fokusohen në punësimin e të rinjve, zhvillimin e ndërmarrësisë, ngritjen e mirëqenies sociale, dekurajimin e migrimit, e të tjera.