Korrupsioni e haraçi po e hanë Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Niveli i lartë i korrupsionit dhe haraçit mbesin pengesat e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë, të cilat ndikojnë në ikjen e investitorëve të huaj dhe në shkallën e lartë të papunësisë. Bile këto dy dukuri aq shumë janë bërë shqetësuese në Republikën e Kosovës saqë janë shndërruar në kancer, i cili po ha vendin ngadalë përbrenda.

Ikja e investitorëve të mundshëm, ikja e qytetarëve, moszhvillimi ekonomik, papunësia dhe varfëria e madhe e kanë një adresë të përbashkët: korrupsionin dhe haraçin. Shteti ende bën sehir përballë kësaj të keqe të madhe. Bile edhe vetë zyrtarët, që janë thirrur në luftimin e këtyre dukurive, deri më sot nuk kanë bërë asgjë e cila ia vlen të përmendet.

 

Praninë e korrupsionit në Kosovë e ka pranuar edhe vetë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni. Ai ka thënë se korrupsioni në Kosovë është i pranishëm bile në masë shqetësuese. “Flitet shumë, hetohet pak dhe nuk gjykohet fare. Kjo e keqe po ndikon në të gjitha poret e jetës. Për haraçin duhet të flitet më shumë. Viktimat e haraçit duhet t’i denoncojnë të gjitha rastet. Ata nuk duhet të bëhen pjesë e së keqes, por të keqen ta lajmërojnë dhe të bëhen pjesë e angazhimit antikorrupsion”, ka thënë Preneti për gazetën “Epoka e re”.

 

Ndërsa eksperti i çështjeve ekonomike, Xhevat Meha, ka thënë se nuk mund të luftohet korrupsioni me njerëz të korruptuar. “Populli thotë ‘Hajni hajnin nuk e ndjek’. Derisa nuk bëhet fronti hajnat në njërën anën dhe johajnat në anën tjetër përballë tyre nuk mund të ketë ndryshim të gjendjes. Ne prej përfundimit të luftës kemi filluar zhvillimin e ekonomisë së tregut, mirëpo zhvillimi ekonomik është i lidhur drejtpërsëdrejti me nivelin e korrupsionit.

Kurse, drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se ku ka haraç dhe mosfunksionim të efikasitetit aty nuk ka pse të pritet zhvillim ekonomik dhe punësim i njerëzve.

“Fatkeqësisht kjo situatë është edhe në Kosovë, pa marrë parasysh rastet individuale, që ndodh të jenë të izoluara me haraç dhe fajde”, ka thënë Rexhepi. Ai ka shtuar se treguesit flasin se Kosova është më keq se vendet e rajonit, për siguri dhe forma të ndryshme të sigurimit jashtëligjor të biznesit. “Kjo tregon për mosfunksionimin e shtetit, moszbatimin e ligjit dhe shkallën e lartë të korrupsionit”, ka deklaruar ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/korrupsioni-e-haraci-po-e-hane-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala