Korrupcioni nuk po luftohet nga Institucionet (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Tri raste të sinjalizimit të korrupsionit kanë treguar mjaftueshëm neglizhencën e institucioneve për ta luftuar këtë dukuri, konstaton shoqëria civile, raporton KTV.

Gjatë këtij muaji, ish-arkëtari i bankës ProCredit, Abdullah Thaçi, u dënua me pesëmijë euro gjobë, për shkak se nxori informata që ngritin dyshime se drejtori i arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, përfitoi në mënyrë të paligjshme nga buxheti i K.

Ndaj Çoçajt u ngrit aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në një rast tjetër, sinjalizuesit dhe anëtarët e sindikatës së Radio Televizionit të Kosovës, Arsim Halili dhe Fadil Hoxha, u larguan nga puna pasi publikisht ngritën shqetësimet e tyre për censurë dhe parregullsi financiare brenda RTK-së.

Po gjatë këtij viti, portali Blic botoi të dhëna që kanë të bëjnë me llogarinë e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, për të informuar publikun për shuma të ndryshme të të hollave që kanë qarkulluar në llogarinë e tij.

Sipas deklaratave publike, në disa institucione kanë filluar hetime për identifikimin e sinjalizuesit, që i ka rrjedhur informatat në publik. Pikërisht për këtë, janë bërë bashkë disa organizata joqeveritare, të cilat nëpërmjet një letre drejtuar autoriteteve më të larta të shtetit, ngritin shqetësimin rreth mënyrës së trajtimit të personave që e denoncojnë korrupsionin.

Shoqëria Civile konsideron se po bëhet shkelje flagrante në lirinë e shprehjes dhe njëkohësisht po tregohet mungesa e seriozitetit të institucioneve për të luftuar korrupsionin.

Ndërkohë, një grup qytetarësh në Prizren kanë nisur të mbledhin të holla për të ndihmuar Abdullah Thaçin që ta paguajë gjobën prej pesëmijë eurosh. Duke i ndihmuar Abdullah Thaçit, dëshirojmë t’i inkurajojmë edhe qytetarët tjerë që duan ta denoncojnë korrupsionin, por frikësohen nga ndëshkimet, thuhet në këtë nismë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/korrupcioni-nuk-po-luftohet-nga-institucionet-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala