Konviktet private në Kosovë, vendet ku bëhet thirrje për ISIS

Autori:Zekirja Shabani

Thirrjet për t’iu bashkuar ISIS-it dhe leksionet me bazë në parimet ideologjike tekfiriste janë të pranishme në disa xhami të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu thuhet në studimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, për shkaqet dhe pasojat e përfshierjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak, megjithatë, këto nuk mund të jenë aq të forta sa ambientet private që i përdorin qarqet tekfiriste.

Sabri Bajgora, kreu i imamëve në BIK, konfirmoi se ndërsa po përpiqen t’i shtojnë inspektimet nëpër xhami, nuk mund ta bëjnë këtë nëpër ambientet private ku BIK-u është i vetëdijshëm se një numër imamësh po organizojnë tubime me ndjekësit e tyre dhe të tjerët, ku flasin ndryshe (më radikalisht) sesa flasin nëpër xhamitë përkatëse.

Ta zëmë, një grup i individëve të arrestuar gjatë bastisjeve të policisë në gusht 2014, mblidheshin shpesh tek banesa e A.F. (një person tjetër që ishte në Siri dhe u arrestua). Babai i A.G. (një tjetër person që ishte në Siri dhe u arrestua), ka vënë re se i biri shpesh ndiqte disa ligjërata dhe takime, për detajet e të cilës nuk ishte në dijeni, në një banesë të A.F. në Han të Elezit.

Gjatë intervistave me një imam në komunën e Vitisë, dhe një prind të njërit prej të përfshirëve në Siri, u konfirmua se këta kishin parë disa pronarë dyqanesh, ndjekës të xhamive përkatëse në këto qytete, të cilët synojnë të ligjërojnë tek breza shumë më të rinj. Ata konfirmuan se ftojnë një numër të rinjsh nga lagjet e tyre, që i përkasin një grupmoshe mes 9-13 vjeç dhe që dëgjojnë se ç’kanë për të thënë në lidhje me Islamin këta pronarë dyqanesh. Njëri nga të intervistuarit, babai i A.G., ishte i sigurt se njëri nga këta pronarë dyqanesh i përkiste asaj që e quajti “Islam radikal”, e që ne dyshojmë se është një nga tekfirët në qytet ose i ndikuar prej tyre.

Së fundi, ka pasur edhe disa konvikte që i përdornin qarqet tekfiriste, duke përfshirë edhe qendrën e Prishtinës, ku akomodonin një numër praktikantësh të rinj të Islamit. D.T., një ish-anëtar i tekfirit që ka qenë në kontakt të ngushtë me autorin e këtij raporti, konfirmoi ekzistencën e konvikteve të tilla në “Lagjen e Muhaxherëve” në qendër të Prishtinës. Këto konvikte akomodonin studentë dhe të rinj të tjerë që kishin nevojë të qëndronin diku.

Konvikte të tilla ishin edhe vende ku të rinjtë urbanë, të larguar nga e familjet e veta, për shkak të qëndrimeve destruktive të këtyre të fundit kundrejt fëmijëve të tyre që kishin vendosur të udhëzoheshin në islam, gjetën një strehë. Ligjëratat e bazuara në tekfirizëm janë mbajtur vazhdimisht në konvikte të tilla, dhe ato janë vizituar shpesh nga imamët tekfirë të Maqedonisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/konviktet-private-ne-kosove-vendet-ku-behte-thirrje-per-isis/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala