Konsorciumi francez s’ka para për Brezovicën

Burime të gazetës “Zëri” brenda Komitetit Drejtues Ndërministror, kanë thënë se vonesa për nënshkrimin e kontratës ka ndodhur pikërisht për këtë arsye.
“Konsorciumi nuk ka arritur që deri më 7 prill të sjellë raportet financiare dhe garancionet bankare të kompletuara, andaj ka ndodhur edhe kjo vonesë”, ka thënë ky burim për gazetën në kushte anonimiteti.
Para katër muajve ishte shpallur fitues konsorciumi “Compagnie des Alpes”, i cili kishte mbetur i vetmi i interesuar, pasi që kompanitë tjera ishin tërhequr nga gara, duke mos shprehur interesim që të investojnë në Brezovicë.
Edhe pse kemi hyrë në muajin e dytë të mospërfilljes së datës 3 mars, zyrtarët qeveritarë deklarojnë se ende nuk janë gati për nënshkrimin e kontratës.
Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se kontrata dhe draft-masterplani janë duke u përfunduar dhe pritet të nënshkruhen gjatë këtyre ditëve në vijim, duke mos dhënë datë të saktë.
Këshilltarja për media dhe komunikim në MTI, Vjollca Dibra-Ibrahimi ka thënë se Komiteti Drejtues Ndërministror ka konfirmuar përmbushjen e parakushteve nga ana e koncorciumit të formalizimit të kontratës.
“Dhe ka miratuar afatet dhe kushtet e kontratës për Projektin për zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës”, ka thënë ajo, duke shtuar se pas nënshkrimit të kontratës, ajo do të hyjë në fuqi të plotë për një periudhë prej gjashtë muajsh./ Zëri/.