Konjufca: Nuk do të ndalemi

Shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk mund t’i vazhdojë punimet përderisa kryeministri Isa Mustafa nuk do t’i anulojë marrëveshjet e arritura me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se, nëse peticioni nuk dëgjohet prej vendimmarrësve, atëherë do të vazhdohet me protesta.
“Kuvendi nuk do të mund t’i vazhdojë punimet për sa kohë kryeministri vazhdon ta mbrojë ‘Zajednicën’. Nëse peticioni nuk dëgjohet prej vendimmarrësve, atëherë do të vazhdojmë me protesta e me të gjitha mjetet paqësore. Ne nuk do të tërhiqemi kurrë derisa ta ndalim ‘Zajednicën’”, ka deklaruar Konjufca, duke shtuar se peticioni do t’i dërgohet Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Presidencës, përfaqësive diplomatike të rëndësishme në Prishtinë, si dhe instancave vendimmarrëse në Bruksel e në Uashington.
Ai ka thënë se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situatës së krijuar është tërheqja e nënshkrimeve nga marrëveshjet ose dorëheqja e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
“Nga situata e tanishme janë dy rrugëdalje, ose tërheqja e nënshkrimeve, ose dorëheqja e Qeverisë. Kuvendi nuk do të mund të vazhdojë pa u bërë realitet njëra nga të dyja. Pra, zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situatës është anulimi i marrëveshjeve, ose dorëheqja e Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Secila zgjidhje tjetër nënkupton dhunim të popullit nga pushteti”, është shprehur Konjufca. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje! është e përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve eventuale si dhe është optimiste për rezultatin e tyre. “Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, dhe tepër optimistë për pjesëmarrjen në to e për rezultatin e tyre. Kosova ka nevojë urgjente për ndërrim të klasës qeverisëse dhe të mentalitetit drejtues”, ka theksuar Konjufca.