Konjufca: Kosovën e plotë, as më shumë as më pak

Autori:Avdyl Pajaziti

Glauk Konjufca: Ne mendojmë se “Zajednica” e rrezikon përgjithmonë të ardhmen normale për Kosovën, dhe garanton një luftë për gjeneratat që vijnë. E ne nuk duam të lëmë një trashëgimi të tillë, që e kthen Kosovën nën kontrollin e Serbisë. Vërtet që ky kontroll do të jetë indirekt, por indirekt është edhe në Bosnjë, dhe ju e shihni se si është Bosnja sot.

“Të gjitha marrëveshjet me Serbinë janë nënshkruar në akordim të plotë me Bashkimin Europian dhe SHBA-të. Kjo pako është në pajtim me kushtetutën e Kosovës dhe ligjet ekzistuese”, ishte fraza që irritoi deputetët e partive opozitare, prandaj ata e gjuajtën me vezë kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, për ta ndërprerë ndonjë fjalë tjetër, krejtësisht të papranueshme për veshin dhe qëndrimin e tyre politik.

Që nga ajo seancë e 11 shtatorit 2015, Parlamenti në Kosovë më nuk është shfrytëzuar për atë që shërben. Sa herë që u tentua, opozitarët nuk lejuan.

“Aksionet e protestat tona synim të vetëm kanë ndaljen e marrëveshjeve për ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin. Pra synimi i protestave tona është ruajtja e unitetit territorial të Republikës së Kosovës, asgjë më shumë e asgjë më pak”, thotë shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca – ndër të parët që kishte hedhur vezë në drejtim të kryeministrit, për të cilat u deklarua se “s’janë për ta lënduar, por për ta poshtëruar atë”.

“Ju garantoj me gjithë integritetin tim personal se Lëvizja Vetëvendosje as ka synuar ndonjëherë dhe as do të synojë në të ardhmen të vijë në pushtet me ndonjë mënyrë jo-zgjedhore. E vetmja mënyrë e pranueshme për të ardhur në pushtet, sipas nesh, janë zgjedhjet. Edhe ato të lira, pa vjedhje e pa blerje”, deklaron Konjufca për Klan Kosovën, duke iu përgjigjur akuzës së Kryeministrit Mustafa, i cili tha se, “opozita po do ta marrë pushtetin me grusht-shtet”.

Deputeti i Vetëvendosjes deklaron se veprimet e tyre të fundit në ngrirjen e jetës parlamentare, janë produkt i arsyes e bindjes, duke mos kalkuluar asnjëherë se si do të reflektojë kjo tek votuesit kosovarë.

“Jo. Ne nuk po mendojmë aspak për zgjedhjet. Nuk na intereson të dimë se cili është impakti elektoral i protestave tona. Protestat dhe aksionet tona në Kuvend e në sheshe janë të sinqerta, ato synojnë ndalimin e Zajednicës”.

“Nuk na intereson aspak, a humbim a fitojmë vota. Ndalja e ‘Zajednicës’ është më e rëndësishme se performanca elektorale e Lëvizjes Vetëvendosje, apo e anëtarëve të saj”.

“Personalisht unë dhe shumë bashkëaktivistë të mi janë gati të sakrifikojnë maksimalisht për ta ndalur këtë projekt të dëmshëm të hegjemonisë së Beogradit mbi Kosovën”, deklaron Konjufca, duke qenë i bindur se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është projektim i politikave pro-serbe.

Ai thotë se asnjëherë më parë Kosova nuk ka jetuar nëpër një moment të vështirë si ky, përkundër se probleme të shumta ka pasur edhe në të kaluarën.

“Probleme ka edhe në vende të tjera të regjionit apo të botës. Por bllokimi fizik i Kuvendit është një masë e pazakontë, e jashtëzakonshme, që ne po e përdorim vetëm e vetëm të detyruar nga një situatë e pazakontë, e jashtëzakonshme”.

“Mos mendoni se ne kemi dëshirë të bllokojmë Kuvendin, dhe kemi në plan ta bllokojmë atë sa herë që të kemi probleme. Jo, ne po e bllokojmë Kuvendin kësaj radhe pikërisht sepse rreziku që i kanoset Kosovës është shumë më i madh se sa ato që i kanë ndodhur më parë”, thotë Konjufca duke shtuar se ishte vet Qeveria ajo që filloi bllokimin duke mos ardhur për të raportuar në Kuvend, para se të lidhnin marrëveshjen me Serbinë në Bruksel me 25 gusht të këtij viti.

Një tjetër marrëveshje e Qeverisë, ajo për vijën kufitare me Malin e Zi, është bërë shkak i këtij kundërshtimi maksimalist të opozitës.

Derisa për Konjufcën, deklarimet e Mustafës “se nuk ka asnjë njeri të vetëm që është ankuar se ka humbur tokë”, tregojnë vetëm nivelin përçmues të Kryeministrit.

“Kjo është fatkeqësia intelektuale ku ka rënë kjo Qeveri. Këta shtetin e Kosovës, Republikën, e shohin si shumë totale të pronave të individëve”.

“Por, edhe nëse Mustafa e Thaçi gjysmën e Kosovës ia falin Kinës, aty s’do të thotë që ndonjë njeri e humb tokën, sepse toka si pronë private mbetet e tij. Ajo që humb është territori shtetëror”.
“E njëjta po ndodh edhe në rastin e marrëveshjes me Malin e Zi. Nuk humbet prona private, pra është e kotë të kërkosh ‘njeriun’ që ankohet”.

“Po humbet territori shtetëror sepse agjencionet përgjegjëse publike kanë zgjedhur metodën më të pafavorshme për të përcaktuar kufirin, për arsye ose të mungesës së profesionalizmit, ose të korruptimit, ose të dyja bashkë”, deklaron Konjufca për Klan Kosovën, derisa tregon se Vetëvendosje, bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, nuk do të ndalen, deri në ndaljen e ‘Zajednicës’.

“Deri më tani janë shumë të besueshëm dhe të vendosur. Dhe do të vazhdojnë të jenë të besueshëm deri në momentin që veprojnë së bashku, pa rënë pre e taktikave përçarëse që ushtron pushteti”, thotë Konjufca i pyetur për partnerët në opozitën e bashkuar.

Ndërsa, përpos qëllimit për ndaljen e krijimit të Asociacionit, Konjufca tregon edhe formën se, si bëhet ndalja.

“Është e paraparë edhe me ligj. Në Kushtetutën e Kosovës, në Nenin 18. Aty, në Pikën 4, thuhet se amendimi ose tërheqja prej Marrëveshjeve Ndërkombëtare ndjekë të njëjtat procedura si ratifikimi i tyre”.

“Pra nëse Kuvendi ratifikon, Kuvendi mundet edhe të tërhiqet prej marrëveshjes. Në këtë rast, Kuvendi nuk ka ratifikuar, pra prej marrëveshjes mund të tërhiqet direkt kryeministri”, shpjegon Konjufca.

“Pastaj, prej kur ka filluar kodifikimi sistematik i marrëdhënieve ndërkombëtare në tre shekujt e fundit ekzistojnë me mijëra raste të ngjashme, kur kryetarët e shteteve janë tërhequr prej marrëveshjeve ndërkombëtare”.

“Madje edhe në vitet e fundit, në Europë, shtete të Bashkimit Evropian sikur Franca, Polonia, Sllovenia, apo edhe Suedia etj, janë tërhequr nga marrëveshje të ndryshme pikërisht pas presionit qytetar me protesta e demonstrata”.

Por, partnerët e koalicionit qeveritar, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, kanë treguar se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga kurrfarë marrëveshje, dhe se kërkesat e opozitës janë absurde.

Madje, pas takimit të zhvilluar me Presidenten Atifete Jahjaga, e cila dje u bëri thirrje të gjitha palëve për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët, ata thanë se nuk ka kurrfarë krize politike, përpos faktit se Vetëvendosje po do ta marrë pushtetin me dhunë.

Kryeministri me zëvendësin e tij u zotuan se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen.

Ndërkohë sot gjatë ditës, Jahjaga do të takohet edhe me liderët e Opozitës së bashkuar, të cilët njëjtë sikur koalicioni qeverisës, kanë thënë se nuk e kanë ndërmend të lëvizin asnjë milimetër nga qëndrimet e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/konjufca-kosoven-e-plote-as-me-shume-as-me-pak/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala