Konjufca: Gruevski ka nisur fushatë për terrorizimin e shqiptarëve

Autori:Zekirja Shabani

Shefi i Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, në konferencë të jashtëzakonshme për media në lidhje me ngjarjet e fundit në Maqedoni ka aakuzuar Qeverinë e Gruevskit për sulmin në Kumanovë.

“Qeveria e Gruevskit ka mobilizuar artilerinë më të rëndë ushtarake për ta sulmuar Kumanovën. Janë sulmuar vetëm lagjet e shqiptarëve me autoblinda e helikopterë, tamam siç sulmohej Kosova nga Milosheviqi gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mediat po raportojnë se ka të vrarë shqiptarë dhe disa të plagosur nga ana e policisë maqedonase”, ka thënë ai.

Arsyetimi i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë për këtë sulm është supozimi se po i ndjekin grupet e armatosura në Kumanovë, sipas Konjufcës është një alibi e papranueshme për ta maskuar një fushatë të armatosur për terrorizimin e shqiptarëve.

“Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në një shtet shtypës i cili shqiptarëve iu qaset vetëm përmes dhunës policore dhe represionit ushtarak. Qeveria Gruevski është në krizë të thellë të legjitimitetit politik”.

Po ashtu, Konjufca kritikoi ashpër mënyrën e reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dukeqenë se ky reagim i shkon përshtati jashtëzakonisht shumë Gruevskit, i cili, sikurse Hashim Thaçi, po e justifikon sulmin e tij ndaj shqiptarëve me gjoja luftimin e grupeve të armatosura.

“Mënyra e reagimit të Qeverisë sonë është plotësisht e gabueshme. Nuk e shohim asnjë fjali në reagimin e MPJ-së së Kosovës që e dënon sulmin mbi popullatën shqiptare atje”, tha më tutje Konjufca.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/konjufca-gruevski-ka-nisur-fushate-per-terrorizimin-e-shqiptareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala