Konfirmohet skandali në Gjinekologji

Autori:Avdyl Pajaziti

“Çka po ec si e killavt” i thotë infermierja Sabile Krasniqit, gruas që e lindi fëmijën në korridorin e Gjinekologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në mbrëmjen e 4 marsit të këtij viti.

Lindja dhe qëndrimi në Gjinekologji për Sabile Krasniqin ka qenë një ankth i vërtetë.

Kjo nënë pas 7 vjetëve martesë e ka lindur fëmijën e parë. Por qëndrimi i saj në Gjinekologji pak minuta para lindjes është shoqëruar me neglizhencë e ofendime nga stafi mjekësor.

E për neglizhencën drejtuar pacientes, Klinika e Gjinekologjisë është shpallur fajtore për mënyrën e sjelljes ndaj Sabile Krasniqit.

Komisioni disiplinor i cili është në kuadër të Qendrës Klinike Universitar të Kosovës, pasi ka shqyrtuar dhe ka analizuar deklaratë e pacientes Sabile Krasniqi se është ofenduar dhe neglizhuar nga stafi mjekësor i Klinikës së Gjinekologjisë me datë 4 mars të vitit 2015 gjatë kohës kur ajo ka lindur, komisioni disiplinor pas disa seancave të mbajtura gjeti se pacientja Sabile Krasniqi, në deklaratën e dhënë në Klinikën e Gjinekologjisë në lidhje me rastin është kontradiktore.

Zyra për Informim e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e ka konfirmuar për Indeksonline se Klinika e Gjinekologjisë kishte trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme lehonën Sabile Krasniqi.

“Komisioni Disiplinor, duke marrë për bazë të gjitha deklaratat e shkelësve të supozuar, si dhe deklaratën e pacientes S. K. dhe duke marrë parasysh rrethanat e krijuara me rastin e lindjes së pacientes S. K., nënkuptohet se nga i gjithë stafi kujdestar i datës 04 mars 2015, vlerëson se ka elemente të neglizhencës procedurale mjekësore”, ka thënë Mirlinda Qyqalla, zëdhënëse në QKUK.

Ajo ka thënë se komisioni disiplinor me datë 22 prill të vitit 2015, ka shqiptuar masën disiplinore vërejtje me shkrim për neglizhencën e ofrimit të shërbimit sa më adekuat si dhe shkaktimit të imazhit jo të mirë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, konkretisht të vet Klinikës së Gjinekologjisë Obstetrike.

“Kurse sa i përket pretendimeve të pacientes për gjoja ofendim, komisioni disiplinor për kundër shumë herë të shqyrtimit të materialit, nuk gjeti prova me të cilat vërteton një pretendim të tillë”,ka thënë më tej Qyqalla.

Indeksonline pati raportuar para disa muajve lidhur me mënyrën e lindjes së lehonës në Klinikën e Gjinekologjisë dhe mënyrën e sjelljes së stafit të kësaj Klinike kundrejt Sabile Krasniqit.

Ndërkaq edhe Policia e Kosovës ka nisur tashmë hetimet lidhur me këtë rast./Indeksnoline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/konfirmohet-skandali-ne-gjinekologji/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala