Konfirmohen shkeljet ligjore të komunës së Ferizajt

Autori:Avdyl Pajaziti

Dallaveret në komunën e Ferizajt për rindërtimin e për zonën e I-dhe VIII  si dhe Vendimin për Inicimin e Procesit për Revidimin e Planit Rregullues për këto zona janë konfirmuar. Këtë vlerësim e ka dhënë edhe  Ministria e  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ky institucion  ka nxjerrë një vendim të cilin ja ka përcjell Kuvendit të Komunës dhe Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj, me anë të te cilit e urdhëron Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit si dhe Kuvendin e Komunës që të kthej në rishqyrtim  këto projekte.  Derisa, organizata INPO që ka bërë publike këto gjetja ka kërkuar nga kryetari i komunës, Muharrem Svarqa që ta shkarkoj nga pozita drejtorin e Urbanizmit në Ferizaj, Faik Grainca.

Ky është njoftimi i plotë i INPO-s.

Arsyeshmëria e këtij Vendimi të MMPH-së bazohet në shpërpuethshmërinë e Vendimit për Inicimin e Procesit të Ndryshimit të Planit Rregullues të datës 29.08 2014 me Vendimin për Revidimin e Planit Rregullues për zonën e I-rë dhe VIII-të të datës 23.02.2015. Tutje, në arsyeshmërinë e vendimit thuhet se raporti përfundimtar i diskutimeve publike për të dy planet nuk është shumë i qartë, nuk përmban numrin e pjesëmarrësve, nuk reflekton problemet e paraqituara për zonat I dhe VIII ndaras nga njëra-tjera si dhe  mungon arsyeshmëria e pranimit të vërejtjeve dhe refuzimit të tyre. Gjithashtu, në këtë Vendim thuhet se në Planin Rregullues për zonën e VIII-të është bërë ndërrimi i destinimit nga banimi individual në banim kolektiv vetëm për një bllok banimi d.m.th revidimi i gjithë Planit është bërë vetëm për një pjesë të caktuar.

Duke u bazuar në këto fakte të lartëcekura dhe të tjera jo më pak të rëndësishme por të cilat nuk i kemi shënuar, Inspektorati i MMPH-së konstaton se Kuvendi i Komunës së Ferizajt, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit kanë bërë shkelje të Ligjit Nr.04/L-174, për Planifikim Hapësinor konkretisht shkelje të nenit 11 pika 2 paragrafi 2.2, nenit 17 si dhe nenit 26 pika 4, me ç’rast e urdhëron Drejtorinë e Urbanizmit dhe Kuvendin Komunal që të kthej në rishqyrtim Vendimin për Revidimin e Planit Rregullues për zonën I dhe VIII si dhe urdhëron që këto plane t’i hartoj, revidoj dhe harmonizojë sipas procedurave, terminologjisë dhe përmbajtjes së paraparë sipas Ligjit për Planifikim Hapësinor.

Andaj, INPO i rikujton drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj z.Faik Grainca si dhe Kuvendit të Komunës, se reagimet e INPO-s lidhur me këtë proces (të cilin ne e kemi cilësuar si proces të mbrapshtë dhe të jashtëligjshëm dhe në interes të individëve të caktuar) kanë ardhur si rezultat i punës dhe hulumtimit të organizatës të shprehura në gjuhën e argumenteve dhe fakteve dhe jo sipas porosive dhe urdhëresave nga tutorët brenda dhe jashtë komunës.

Në këtë drejtim, INPO i bën të ditur Kryetarit të Komunës se të gjeturat e INPO-s lidhur me shkeljet ligjore gjatë procesit të revidimit i konfirmon ky Vendim i Inspektoratit të MMPH-së. Andaj, INPO edhe një herë i bën thirrje Kryetarit të Komunës z.Svarqa që ta shkarkoj nga pozita drejtorin e Urbanizmit në Ferizaj z.Faik Grainca për shkak të dështimit të tij në kryerjen e obligimeve dhe detyrave ligjore në ofrimin e shërbimeve të mira për komunën dhe qytetarët e Ferizaj si dhe të ndërrmarrë të gjitha masat e nevojshme në sigurimin e ligjshmërisë së procesit të revidimit duke i zbatuar parimet e transparencës dhe subsidiaritetit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/konfirmohen-te-gjeturat-e-inpo-s-per-shkeljet-ligjore-ne-ferizaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala