Komunat që mbetën vetëm në letër

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjithçka mbeti premtim nga atëherë. Si në kohë fushatash. Vendimet e Qeverisë “Thaçi 2” për themelimin e disa komunave të reja nuk u jetësuan nga koha kur u morën në vitin 2013. Edhe ashtu fushatë e parakohshme ishte.

Që nga atëherë kanë kaluar gati dy vjet, por rajoni i Hasit me Rogovën e Gjonajn dhe Zhegrën e Gjilanit vazhdojnë të bartin emërtimin e fshatit, të tillë siç e kishin edhe më parë. Letrat i kanë, por jo për Gjermani! Janë dokumente të Qeverisë së Kosovës që këto fshatra i shndërron në komuna.

Por, Thaçi del të jetë ngutur. Jetësimi i vendimeve të tij për themelimin e komunave të reja është i pamundshëm përderisa nuk bëhet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit Nr. 03/L-041 për kufijtë administrativ.

Vetë zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se themelimi i komunave të reja bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-041 për kufijtë administrativë të komunave, ashtu siç është përcaktuar me nenin 9 të tij.

Në nenin 9, pika 1 thuhet se themelimi i komunave të reja, bashkimi, ndarja, ndryshimi i kufijve administrativë të komunës dhe caktimi i emrit apo i selisë së komunës bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji. Por kjo nuk e kishte penguar ish-kryeministrin e Kosovës që të nxirrte vendime për krijimin e komunave të reja.

Në mbledhjen e mbajtur më 8 maj 2013, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin 08/1292 për aprovimin e kërkesës së MAPL-it, për inicimin dhe zhvillimin e procedurave ligjore për themelimin e Komunës së Rogovës dhe atë të Gjonajt. Ndërsa, më 17 korrik 2013 ishte marrë vendimi për krijimin e Komunës së Zhegrës.

Dy vjet pas, Thaçi që tash është zëvendëskryeministër, duket se ka harruar kur thoshte se nuk do të ketë fuqi politike që do të mund ta pengojë formimin e komunave të Rogovës dhe të Gjonajve.

Ai ishte zotuar se do t’i kapërcente të gjitha pengesat për të jetësuar vendimet e tij. Por kjo nuk ka ndodhur edhe gati dy vjet nga ajo kohë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komunat-qe-mbeten-vetem-ne-leter/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala