Komuna e Skenderajt proteston për Sami Lushtakun

Dhjetëra punonjës të Komunës së Skenderajt kanë protestuar sot në mëngjes për sic kanë thënë ta, gjykimit të padrejtë të kryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku.
Zyrtarët e administratës së kësaj komune u mblodhën në hyrje të objektit të komunës ku edhe shfaqën parullat “Stop gjykimit me standarde të dyfishta”, “Pa të vërtetën nuk ka drejtësi”, e të tjera.
Në nëntor të vitit 2013, Lushtaku kishte fituar bindshëm zgjedhjet lokale për t’u rizgjedhur kryetar i Komunës së Skenderajt. Me mbi 80 për qind të votave të fituara, ai kishte përqindjen më të madhe të përkrahjes krahasuar me udhëheqësit e tjerë që dolën nga ato zgjedhje.
Por, më 27 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar atë me burgim pasi ishte gjetur fajtor nën akuzat për vrasje të një civili shqiptar.
Duke llogaritur edhe kohën sa ka kaluar në paraburgim para se të shpallej verdikti për të, Komuna e Skenderajt ka mbetur pa kryetarin e saj për gati dy vite./Gazeta Fjala/