Komuna e Prishtinës ndihmon 100 gra të kryejnë mamografinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur 100 gra, gjendja ekonomike-sociale e të cilave është vlerësuar të jetë më e rëndë, që t’iu bëjë mamografinë gjatë muajit tetor. Gjithashtu, prioritet për komunën mbetet edhe të informojë qytetarët për rëndësinë që ka ekzaminimi.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Kulturës, gratë asambliste, Komiteti për shëndetësi dhe zyra për barazi gjinore, u mblodhën sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për të shënuar fillimin e aktiviteteve për këtë muaj.
Drejtori i Shëndetësisë Arben Vitia tha se për t’iu bërë mamografinë, kanë përzgjedhur ato rastet të cilat jetojnë në kushte të rënda ekonomike, në mënyrë që t’iu ofrohet ndihmë.

“Në kuadër të kësaj fushate, këtë vit janë zgjedhur 100 gra nga rastet sociale, do të thotë me gjendje jo të mirë ekonomio-sociale, ku do të iu bëhet mamografia këtyre grave gjatë muajit tetor. Mirëpo nuk do të jetë vetëm ekzaminimi ajo që do të bëjmë gjatë këtij muaji, me rëndësi për ne ë shtë që të vetdijesojmë gra, të vetëdijesojmë popullatën,që të mundohen ta dinë rëndësinë e kësaj sëmundje, rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundje, vet-ekzaminimin dhe një lloj vetëdijesimi edhe në familjarë të tjerë që mund të kenë problem me këtë sëmundje”, tha ai.

Ndërsa, doktoresha në QKMF, Flora Hyseni iu bëri thirrje të gjitha femrave nga mosha 20 vjeçare e tutje që të vet-ekzaminohen, pasi që zbulimi i hershëm i sëmundjes së kancerit të gjirit është shërues.

“Duhet të bëhet një punë shumë më e madhe për vetdijësmin e grave për ekzaminimin e gjirit. Kjo mund të bëhet fillimisht me një këshillë nga mjeku familjarë nëpër të gjitha qendrat e mjekësisë familjare ku është e rekomandueshme që secila grua, secila femër nga mosha 20 vjeçare të fillojë me vet-ekzaminimin e gjirit, i cili duhet të bëhet çdo muaj, dhe për çfarëdo ndryshimi që vëren duhet të orientohet tek mjeku familjarë, dhetë vazhdojë më tutje për procedurat e diagnostifikimi”, tha ajo.

Komuna e Prishtinës me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për këtë sëmundje dhe rëndësinë që ka zbulimi i hershëm i saj, gjatë tërë muajit do të bëjë shpërndarjen e fletushkave të cilat përmbajnë informacione rreth kancerit të gjirit.

Muaji tetor njihet si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit. Mendohet se në botë, një në tetë gra janë të prekura me kancerin e gjirit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komuna-e-prishtines-ndihmon-100-gra-te-kryejne-mamografine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala