Komuna e Prishtinës me linja të reja të autobusëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Komuna e Prishtinës me hapjen e tenderit për 51 autobusë të rinj ka bërë edhe planin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, ku do të ketë edhe linja të reja të trafikut urban.

Me këtë do bëhet edhe kyçja me biletë elektronike, e që sipas zyrtarëve të Komunës kjo do të hyjë në funksion nga pranvera e vitit të ardhshëm.

Këtë ndryshim e kanë mirëpritur edhe qytetarët të cilët përdorin autobusin urban. Madje ata thonë se kjo do tu lehtësoj punë edhe qytetarëve që vijnë në Prishtinë nga qytetet tjera.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha se ky plan i qëndrueshëm i transportit publik do nis vitin e ardhshëm.

“Pra puna një vjeçare që e kemi bërë në ndërtimin e modelit në bindjen e BERZH-it që të jetë me neve në këtë udhëtim, në këtë rrugëtim të reformimit të plotë të transportit publik, tashmë po jetësohet me blerjen e autobusëve, me fillimin e punës së ndërtimit të planit të qëndrueshëm të mobilitetit urban dhe me kyçjen e një biletë elektronike për qytetarët e Prishtinës, të cilën unë besoj që në pranverën e vitit tjetër do ta vëmë në funksion”, th a Sejdiu.

Sejdiu, tregoi që këta autobusë do të kenë monitorët ku i tregon pasagjerëve se kur dhe ku do të mbërrij autobusi. Ai tha se do të ketë edhe ndryshim të pritorëve (stacioneve) të autobusëve.

“Secili autobus do t’i ketë tre monitorë brenda, këta monitorë do të tregojnë kohën për pasagjerët brenda se kur do të mbërrij autobusi, ku mbërrin. Ne gjithashtu sivjet do të fillojmë me ndërrimin e stacioneve të autobusëve të qytetit, pra pritoret e autobusëve që janë do të ndërrohen dhe kjo do të ndodh deri në mes të vitit tjetër ,sepse ky është proces i ndarë prej kësaj. Gjithashtu do të vendosen monitorë me led, në të cilat qytetarët do e shohin se për sa vjen autobusi i cili i dërgon në një pikë të caktuar”, tha Sejdiu për KosovaPress.

Ndërsa për qytetarin Afrim Emini, nga komuna e Dardanës, ky ndryshim i trafikut urban shihet si lehtësim për ta kur të vijnë në Prishtinë.

“Unë nuk jam prej kësaj komune jam prej komunës së Dardanës , me siguri ka me qenë një lehtësim për neve kur të vijmë këtu në Prishtinë, duhet me u ndal diku nëpër parkingje periferike, t’i lëmë automjetet tona dhe me autobusë urban t’i kryem punët tona”, tha Emini.

Tenderi për 51 autobusët e rinj do të jetë i hapur deri më 17 shtator në orën 14:00, ku menjëherë pas afatit do të bëhet vlerësimi dhe vazhdimi i procedurave deri në finalizimin e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komuna-e-prishtines-me-linja-te-reja-te-autobuseve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala