Komuna e Gjilanit merret me shitjen e viçave

Autori:Avdyl Pajaziti

Përmes një ankandi publik Komuna e Gjilanit, e cila drejtohet nga Lutfi Haziri, po tenton të shesë shtatë viça si dhe një lopë. Në ankandin, që është hapur me 17 qershor dhe do të mbyllet me 2 korrik të këtij viti, të interesuarit do të kenë mundësi të dorëzojnë ofertat e tyre për blerjen e viçave e ku çmimi sillet nga 1.40 e deri në 2.30 euro për kilogram.

Në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se viçi i identifikuar me numër 11002355 i gjinisë mashkull i lindur më 8 korrik të vitit që lamë pas, çmimin fillestar në gjendje të gjallë e ka 2.30 euro.

Po ashtu edhe gjashtë viçat tjerë, të lindur në qershor dhe korrik të vitit 2014, po ashtu kanë çmim të njëjtë të shitjes.

Ndërkaq, me çmim më të lirë do të shitet lopa e identifikuar me numër 244786, e cila është e lindur në vitin 2011. Çmimi i saj për kilogram në gjendje të gjallë do të jetë 1.30 euro.

Sipas KRPP-së personat fizikë që duan të marrin pjesë në ankand duhet të dorëzojnë një kopje të letërnjoftimit, ndërkaq ata juridikë duhet të dorëzojnë certifikatën e regjistrimit të biznesit. Sipas njoftimit të publikuar të interesuarit duhet të blejnë komplet viçat bashkë e ku në fillim duhet të deponojnë një shumë të garancionit prej 400 eurosh.

“Shuma e sigurimit të tenderit (ankandit) është 400.00 euro si shumë paushall për në periudhë valide prej 30 ditësh. Pagesa mund të bëhet ne arkë të njëjtën ditë dhe destinohet në emër të garancionit ose mundeni të ofroni edhe garancion bankar, të cilin duhet ta dorëzoni me formularin e ofertës. Nëse shpalleni fitues, me çmimin më të lartë dhe tërhiqeni nga oferta e Juaj, atëherë garancioni ju humbet. Nëse pranoni blerjen, atëherë shuma e paguar në emër të garancionit ju llogaritet në çmimin e blerjes. Për ata që nuk shpallen fitues, garancioni ju kthehet në shumën e plotë”, thuhet në njoftimin e KRPP-së. Më tej thuhet se blerja e viçave do të bëhet në bazë të ankandit publik (çmimi më i lartë të cilin e ofrojnë ofertuesit gjatë ankandit publik).

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë te Organi Shqyrtues i Prokurimit, sipas dispozitave të Kapitullit IX, të Ligjit Nr. 04/L-042, Ligji mbi Prokurimin Publik në Kosovë”, thuhet në fund të njoftimit të publikuar në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komuna-e-gjilanit-merret-me-shitjen-e-vicave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala