Komuna e Fushë Kosovës vjedh qytetarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Komuna e Fushë Kosovës u ka plaçkitur qytetarëve nga 150€ si taksë për regjistrimin e patundshmërive.
Pagesa ka qenë paushalle për periudhën deri në dhjetor 2014, për secilën pronësi, duke cënuar interesin e qytetarëve në aspektin e shumës së parave të cilën është dashur të inkasohet në rastin e regjistrimit.

Komuna e Fushë Kosovës ka inkasuar taksat për regjistrimin e pronësisë bazuar në Rregulloren për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba komunale, të vitit 2013. Në këtë rregullore, Neni 9 i referohet Udhëzimit Administrativ 05/2012 të Ministrisë së Mjedisit. Mirëpo në këtë rregullore nuk ka një tarifë paushalle në lartësi prej 150 € për regjistrimin e pronësisë, madje ky udhëzim administrativ nuk përmban tarifa për regjistrimin e pronësisë. Ky udhëzim përmban tarifat për ndarje të parcelave dhe matjet e kufijve dhe sipërfaqeve të sendeve të paluajtshme (ndërtesave, banesave, lokaleve afariste, tokave bujqësore etj.).

Për regjistrimin e këtyre pronave është dashur të aplikohen taksa sipas Udhëzimit Administrativ 08/2014. Ekzekutivi i Komunës së Fushë Kosovës nuk është kujdesur që të përcjellë trendet e ndryshimit të lartësive të taksave, kështuqë për këtë neglizhencë është dëmtuar qytetari.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i njofton qytetarët se kanë të gjitha të drejtat të kërkojnë kompenzimin e të hollave që janë mbledhur nga inkasimi i kësaj takse dhe qoftë individualisht apo kolektivisht ta padisin Komunën për pasurim pa bazë – që përndryshe njihet edhe si burim i detyrimeve në kuptimin e së drejtës së detyrimeve siç është paraparë edhe me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komuna-e-fushe-kosoves-vjedh-qytetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala