Komuna e Ferizajt me 17 mijë të papunë

Në kuadër të projektit: “Promovimi i punësimit të të rinjve” në Kosovë, projekt i GIZ-it gjerman, pjesë e së cilës është edhe Komuna e Ferizajt, të hënën, janë prezantuar gjetjet nga raporti i vlerësimit të nevojave të të rinjve ferizajas.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, ka thënë se ndjehet mirë që Komuna që ai drejton është pjesë e këtij projekti së bashku edhe me komunat të Gjakovës dhe atë të Vushtrrisë, një projekt- pilot shumë i rëndësishëm sipas tij që ka të bëjë me punësimin, një problem mjaft shqetësues të për gjitha qytetet e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas shënimeve të publikuara nga Qendra Rajonale e Punësimit, në Komunën e Ferizajt aktualisht janë të regjistruar si të papunë 17 mijë persona, prej të cilëve 7 mijë e 200, ose rreth 42 për qind janë të pakualifikuar, ndërsa rreth 40 për qind janë të moshës ndërmjet 16 e 24 vjeç, kurse 8 mijë e 141, ose 47.7 për qind janë të moshës ndërmjet 25 e 39 – vjeçare.
Sipas këtyre shifrave, del se afër 70 për qind e të papunëve, janë të moshës nën 30- vjeç.