Komuna e Ferizajt kurdisë tenderin për Spitalin

Ndërtimi i spitalit të shumëpërfolur të Ferizajt është shtyrë edhe për një kohë, pasi që është konstatuar se Komuna e Ferizajit, e udhëhequr nga Muharrem Sfarqa, po e përgatiste tenderin për të favorizuar kompani të caktuara për ndërtimin e tij.
Procesi është rikthyer në ritenderim pas ankesës që është bërë rreth procesit të prokurorimit nga kompania Albes nga Istogu, transmeton Gazeta Fjala.
Vendimi për të të rikthyer në ritenderim këtë kontratë është bërë publike nga ana e Panelit Shqyrtues të Prokurorimit Publik të datës 5 tetor.
Sipas arsyetimit të këtij vendimi, kompania Albes ishte ankuar se autoriteti kontraktues, në këtë rast Komuna e Ferizaj, kishte pasur si qëllim të favorizojë një ose më shumë operatorë ekonomik e që bie ndesh me ligjin e prokurorimit.
“Paneli shqyrtues, bazuar në të gjeturat dhe sqarimet e dhena gjatë seancës dëgjimore vlerëson se qendron një pretendim i tillë ankimor, sepse kërkesa e autoriteti kontraktues për mbështetjen nga banka apo akces në kredi në vlerë prej së paku 1,000.000.00 euro për panelin shqyrtues është kufizues ndaj një e më shumë operatori ekonomik,” thuhet në vendim.
Po ashtu, Gazeta Fjala raporton se edhe një ankese tjetër e kompanisë Albes ishte vlerësuar si i qëndrueshëm në vendim.
“Kërkesa e autoritetit kontraktues lidhur me mundësitë teknike dhe profesionale lidhur me menaxherin e projektit i cili duhet të ketë përvoje 10 vjecare pas diplomimit, si dhe numrin e punëtorëve, për panelin shqyrtues kjo kërkese është maksimaliste dhe në kundërsthim me nenin 7 të LPP.”
Plani për ndërtimin e këtij spitali daton që para disa viteve. Në rishikimin e buxhetit të vitit 2013, qeveria kishte ndarë mjetet për fillimin e ndërtimit të tij. Po ashtu, edhe shteti i Maltës kishte premtuar se do të investojë mbi 30 milion euro për këtë projekt./Gazeta Fjala/