Komuna e Ferizajit dhuron 5000 euro për banorët e Kumanovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Propozimi u miratua nga 21 delegatë në seancën e cila zgjati deri në orët e vona.

Propozimi ka ardhur nga Bashkim Fazliu Migjeni, Kryetar i Nismës Qytetare për Ferizaj.

Ja propozimi i plotë:

Të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal të Ferizaj, të nderuar kolegë, Duke pas parasysh rastin e rëndë që patën banorët shqiptarë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, mëngjesin e 9.05.2015, duke u sulmuar papritmas nga forcat maqedone, dhe duke parë edhe vetë personalisht dëmet e mëdha materiale të shkaktuar ndaj këtyre banorëve, i propozoj anëtarëve të Kuvendit të Ferizajt që të miratojnë dhënien e ndihmës në të holla për banorët e prekur të Lagjes së Trimave, Kumanovë.

Shuma propozoj të jetë 5000.00 Euro, me mundësi ndryshimi nga Kuvendi. Konsideroj se si përfaqësues të qytetarëve të Ferizajt me këtë gjest simbolik të përkrahjes së atyre banorëve shqiptarë të prekur nga ky sulm, do të arrijmë paksa t’u kthejmë minimalisht një kujdes të cilin qytetarët tanë e kanë pasur gjatë viteve më të rënda të Kosovës.

Shqiptarët e Kumanovës e më gjerë në gjithë Maqedoninë, kanë dhënë kontribut të madh në përkrahjen dhe strehimin e qytetarëve tanë sidomos gjatë vitit 1999, kur ndodhi edhe eksodi masiv. Pokështu, nuk duhet harruar se gjatë viteve ’90-a, kur Kosova ishte në terr informativ, ishte Radio “Zëri i Kumanovës” që na mbushte hapësirat tona në gjuhën shqipe, duke zvogëluar mungesën e plotë të informacioneve. Qytetarët e dëmtuar të Lagjes së Trimave në Kumanovë, meritojnë përkrahjen tonë. Ata kanë bërë shumë më shumë për ne. T’ua kthejmë sado pak atë.

Me respekt, Bashkim Fazliu, Këshilltar Komunal në KK-Ferizaj Kryetar, Nisma Qytetare për Ferizaj (NQF)./Indeksonline

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/komuna-e-ferizajit-dhuron-5000-euro-per-banoret-e-kumanoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala